Sport

Eriksen lë spitalin pas operacionit në zemër, mesazh shokëve

Christian Eriksen ka lënë spitalin pas ndërhyrjes kirurgjikale ku në zemrën e tij vuri një defribilator. Një lajm i mirë ky për Eriksenin dhe për mbarë sportdashësit pas asaj ngjarje të ndodhur ditë më parë në ndeshjen ndaj Finlandës ku Eriksenit i ndodhi një arrest kardiak.

Mesfushori i Interit me anë të Federatës daneze të Futbollit ka lënë një mesazh për tifozëve duke i falënderuar për mesazhet e shumta që kishte marrë:

“Faleminderit për urimet e tuaja të pafundme. Operacioni shkoi shumë mirë. Ishte me të vërtetë bukur të takoja shokët e skuadrës pas një paraqitjeje dinjitoze mbrëmjen e djeshme. Do të bëj tifo për ta të hënën në sfidën ndaj Rusisë”, tha Eriksen.

Edhe vet Federata daneze e Futbollit me anë të një postimi ka sqaruar:

“Christian Eriksen u operua me sukses dhe është larguar nga spitali. Gjatë ditës së sotme ai vizitoi shokët e ekipit kombëtar në Helsingor dhe prej andej ai do të shkojë në shtëpi për të kaluar kohë me familjen e tij”.

Ndërkaq, dje në minutën e 10-të u ndal ndeshja Danimarkë–Belgjikë për nder të mesfushorit Christian Eriksen.


Pas infarktit kardiak të së shtunës në ndeshjen e Danimarkës me Finlandën, futbollistit danez iu vendos një defibrilator për t’i stabilizuar aritminë. Kjo është ndërhyrje rutinë nga pikëpamja mjekësore por që mund të ndryshojë përgjithnjë jetën e 29-vjeçarit.

E ardhmja sportive e futbollistit, i cili luan si mesfushor i Interit është në rrezik serioz. Në Itali, personat që kanë defibrilator nuk lejohen të luajnë.