Sport

Operohet Eriksen, sot del nga spitali!

Christian Eriksen u operua dhe sot del nga spitali Rigshospitalet i Kopenhagenit. Pas infarktit kardiak të së shtunës në ndeshjen e Danimarkës me Finlandën, futbollistit danez iu vendos një defibrilator për t’i stabilizuar aritminë. Kjo është ndërhyrje rutinë nga pikëpamja mjekësore por që mund të ndryshojë përgjithmonë jetën e 29-vjeçarit.

E ardhmja sportive e futbollistit, i cili luan si mesfushor i Interit është në rrezik serioz. Në Itali, personat që kanë defibrilator nuk lejohen të luajnë.

Në njoftimin zyrtar të Federatës Daneze të Futbollit nuk zbulohet gjë për diagnozën. Por besohet se ishte infarkt i miokardit që më 12 qershor e la pa ndjenja në fushë dhe nuk mjaftonte kurë vetëm me ilaçe ndaj u vendos defibrilatori. Ndonëse me të nuk lejohet të luhet në Itali, në vende të tjera nuk përbën problem si në rastin e holandezit Blind, i cili mbrëmë luajti kundër Austrisë. Jo vetëm Holanda por edhe Anglia e lejon.

Meqë Eriksen luan me Interin, pas 4-5 javësh, ai duhet t’i nënshtrohet analizave të reja që do të përcaktojnë nëse aritmia është apo jo e korrigjueshme. Nëse problemi rezulton momental, defibrilatori i duhet hequr por edhe në këtë pikë do të hapet një rrugë e gjatë e jo e lehtë për të marrë dritën jeshile që të luajë sërish futboll.