Celebrities Design Fashion

5 arritjet më të mëdha në karrierën si stiliste të Vivienne Westwood!

Dame Vivienne Westwood, stilistja, ikona e stilit ‘punk’ dhe aktiviste e klimës, ndërroi jetë së fundmi në moshën 81-vjeçare e rrethuar nga familja e saj në Clapham, Londër. E ndjera Vivienne Westwood gjithmonë ka qenë e njohur për stilin e saj të veçantë dhe referencat historike, të cilat kanë lënë gjurmë në industrinë e modës.

Edhe sot e kësaj dite shumë veta e kanë cilësuar atë si vizionare dhe pionere e risive që ka arritur të sjellë në fushën e modës. Për të nderuar arritjet, momentet ikonike dhe dizanjet e paharrueshme, ne do t’ju prezantojmë me disa momente më kyçe të karrierës së saj.

1.Stili ‘Punk’

Pikërisht në një butik “Let It Rock” në Londër, Vivienne dhe partneri i atëhershëm Malcolm McLaren shfaqën fillimisht idetë dhe modelet e tyre gjatë viteve 1970 dhe fillimit të viteve 1980. Dyqani u cilësua si pjesë e lëvizjes së re ‘punk’, ku më pas u riemërua dhe u ridekorua me kalimin e viteve për të pasqyruar modën në ndryshim. Ai u quajt në mënyrë të veçantë ‘SEX’ nga rreth 1974 deri në 1976. Modelet e saj të hershme ndikuan në stilin e asaj periudhe dhe ishin hapat e parë të fillimit të një karriere të suksesshme në atë fushë. Profesioni i saj më parë kishte qenë mësuese, por vendosi për të krijuaj koleksionet e saj dhe konkretizimin e tyre në sfilatat e qytetit.

2.Stili ikonik

Vivienne do të mbahet mend për prodhimin e dukjeve të shumta, nga kostumet ‘tweed’ deri te bluzat me slogane. ‘Mini-crini’ e saj është ndër modelet që konsiderohet si më ikoni i saj. Në një botë tepër mashkullore dhe të kontrolluar, stilistja vendosi të sjellë ndryshime duke sfiduar të prezantojë këtë koleksion me fund të shkurtër madje tepër të shkurtër për kohën atëherë. Ky model ishte një kombinim i krinolinës viktoriane me një fund të vogël dhe u lançua në vitin 1985. Thuhet se simbolizonte çlirimin dhe ndryshimin për të gjitha gratë. Është parë si një modernizim i modës historike duke sjellë për herë të parë një frymë mjaft moderene.

3.Vlerësimi nga pallati mbretëror britanik

Vivienne u nderua me një OBE e cila cilësohet si titull i Oficerit të Urdhrit Më të Shkëlqyer të Perandorisë Britanike në vitin 1992. Ajo veshi një kostum me fund të qepur në Buckingham Palace për të marrë nderin, i cili iu dha asaj nga mbretëresha Elizabeth II e atëhershme. Megjithatë stilistja nuk kishte veshur aspak të brendshme, gjë që shkaktoi bujë kur ajo u kap për fotografët. Ajo më vonë deklaroi se Mbretëresha ishte “argëtuar” nga situata që ajo kishte krijuar. Më vonë kjo gjë u vërtetua nga dikush që punonte për mbretëreshën duke e aprovuar se ajo ishte kënaqur me të vërtetë me të.

4.Rrëzimi në shfaqjen e saj

Ka pasur një sërë momentesh të paharrueshme në sfilata duke përfshirë pjesë të krijuara nga Vivienne. Ndoshta më ikonike erdhi gjatë një prezantimi rreth vitit 1993. Naomi Campbell ishte pikërisht modelja e zgjedhur për të marrë pjesë në një ndër sfilatat e saj më të rëndësishme në Paris. Ajo kishte veshur një fustan të gjatë të stilistes duke i kombinuar ato me një palë taka me platformë. Supermodelja përfundoi duke rënë në to. Ngjarja tërhoqi shumë vëmendje në atë kohë. Duke reflektuar për momentin në vitin 2019, Naomi tha se më vonë iu afruan stilistë të tjerë që donin ta përsërisnin atë si moment.

 

5.Vivienne si aktiviste

Vivienne u përqendrua në fushën e aktivizmit vitet e fundit, ku ajo ka mbështetur publikisht kauza të ndryshme. Kjo përfshinte nisjen e një fushate kundër ndryshimit të klimës. Në shumë paraqitje publike artistja është parë duke veshur bluze me mbishkrime pro mbrojtjes së natyrës, ngrohjes globale, etj. Edhe në rrjetet e saj sociale gjithmonë ka bërë të mundur shfaqjen e kauzave që ajo mbronte duke i ndërthurur ato edhe me krijmtaritë e saj.