Ylli i Hollivudit Gwyneth Paltrow ka surprizuar fansat duke njoftuar se do të nxjerrë në ankand më shumë se 500 veshje dhe aksesorë nga arkiva e saj personale, duke i dhënë publikut mundësinë të zotërojë pjesë të historisë së saj në modë.
Nga fustanet e tapetit të kuq e deri te krijimet e haute couture që ka veshur në momente kyçe të karrierës, përfshirë periudhën kur fitoi çmimin Oscar për filmin Shakespeare in Love, koleksioni përfaqëson një udhëtim estetik që nga romantizmi i viteve ’90 deri te minimalizmi modern që e karakterizon sot.
Aktorja dhe themeluesja e brandit të mirëqenies Goop e bëri njoftimin përmes një videoje në Instagram, ku tregoi se gjatë zhvendosjes së saj vitin e kaluar kishte zbuluar sende me vlerë sentimentale që nuk i përdor më, por që dëshiron t’u japë një jetë të re përmes ankandit.
Ankandi do të zhvillohet më 24 dhe 25 mars dhe përfshin fustane ikonike, çanta dore, aksesorë dhe sende personale që shënuan etapa të ndryshme të jetës dhe karrierës së saj.
Përtej vlerës së tyre si objekte koleksionuese, një pjesë e të ardhurave do të dhurohet për World Central Kitchen, organizatë që ofron ushqim për komunitetet e prekura nga krizat në mbarë botën.
Ky ankand konsiderohet jo vetëm një pastrim simbolik i arkivës personale të Paltrow, por edhe një rikthim nostalgjik në evolucionin e stilit të saj, që ka ndikuar prej dekadash në modën dhe kulturën pop.