Rajoni

Albin Kurti: I kemi kërkuar Agjencisë Kadastrale të zbatojë vendimin për Deçanin!

Kryeministri Albin Kurti tha se Agjencisë Kadastrale të Kosovës, qeveria e tij i kërkoi të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Sot në mbledhjen e Ekzekutivit, shefi i qeverisë theksoi se “zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon kalimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës”, ndërsa muajin e ardhshëm mbahen punimet e Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni.

Më herët këtë muaj, Radio Evropa e Lirë raportoi se Qeveria e Kosovës priste që pushteti lokal në Deçan, komunë në pjesën perëndimore të vendit, të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, komuna e Deçanit që gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë drejtohet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në një prononcim po për Radion Evropa e Lirë më 6 mars, kryekomunari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse qeveria e Kosovës do të kërkonte zbatimin e vendimit, ai deklaroi se nuk beson që qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë.

Kundërshtimet

Autoritetet lokale refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” e “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Deri më tani, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.

Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikur vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.

Ata shpjegojnë se në vitin 1997, atyre iu kthyen 24 nga 700 hektarë tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946. Po ashtu, ata kujtojnë se “në kohën e Millosheviçit”, nga viti 1991 deri më 1999-ën janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.