Aktualitet Rajoni

Albin Kurti në Tiranë, takime me Begajn, Nikollën e Ramën/Mbështetje planit europian!

Takimet e sotme në Tiranë, me fokus Marrëveshjen e Ohrit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i nisi me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti Begaj përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

Duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, Presidenti Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.

Kurti takoi edhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla, së cilës i shprehu vendosmërinë për zbatimin e planit evropian. Pas bisedimeve në Kryesinë e Kuvendit, Nikolla theksoi:

Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun e mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-ve në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.

Për rreth 2 orë, kryeministri Rama zhvilloi një takim me Albin Kurtin, në Vilën 30. Në fokus ishte dakordësia e 18 marsit Kosovë-Serbi.

Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ai dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç arritën dakordësi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bashkimi Europian që ndërmjetësoi bisedimet u shpreh i kënaqur me rezultatin e tyre, edhe pse u mbyllën pa një marrëveshje të nënshkruar pasi Beogradi refuzoi. Albin Kurti kërkoi që ndërkombëtarët “ta dënojnë” Serbinë për këtë pjesë.

Më 21 mars, gjatë një prononcimi për gazetarët në Prishtinë, deklaroi:

Për Kosovën, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i zbatimit të saj, janë “marrëveshje”, pavarësisht se më 18 mars, Serbia nuk pranoi të nënshkruajë.

Edhe Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për ne kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë “nuk nënshkruaj” e ndërmjet takimeve thotë “nuk zbatoj gjë”.

Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto.