Rajoni

Serbia nuk firmosi marrëveshje në Ohër, Kurti: Të dënohet!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i mendimit se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë se sipas tij “refuzoi të nënshkruajë aneksin” për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Sot gjatë një prononcimi për gazetarët në Prishtinë, deklaroi:

Për Kosovën, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i zbatimit të saj, janë “marrëveshje”, pavarësisht se më 18 mars, Serbia nuk pranoi të nënshkruajë.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht se nuk u firmos nga palët, dy vendet e konsiderojnë si marrëveshje.

Edhe Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për ne kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë “nuk nënshkruaj” e ndërmjet takimeve thotë “nuk zbatoj gjë”.

Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Pra, unë besoj se kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë partnerët, aleatët, miqtë tanë të vendeve demokratike në Perëndim dhe jo vetëm, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë, të përkushtuar e kreativ si asnjëherë.

Të dielën e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç bëri të ditur se nuk e firmosi marrëveshjen, se sipas tij “Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është”. Për këtë arsye, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Të shtunën më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Albin Kurti, ra dakord me presidentin serb, Aleksander Vuçiç për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Rol kryesor luajti ndërmjetësimi i Bashkimit Europian. Ndërkaq, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit.