Rajoni

Arsimtarët e Kosovës pezullojnë grevën, mësimi nis nesër!

Pezullohet greva në sektorin publik të Kosovës, nesër nis mësimi. Lajmi konfirmohet nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura. Kryetari Atdhe Hykolli, tha se “greva nuk ishte akt individual ose i një grupi individësh, por mjet i veprimit sindikal. Greva ishte e ligjshme”. Kreu i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, saktësoi se “greva nuk mbyllet, por pezullohet deri në janar 2023”. Jasharaj i bëri thirrje qeverisë që këto muaj t’i shfrytëzojë për dialog me sindikalistët e të mos flasë për fitore, se sipas tij, “nuk ka fituar kush”.

Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. Uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajnë fjalën për Ligjin e pagave, për ndryshimin e Ligjit të skemave të pensionit e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vjet kontributdhënës para vitit 1990. Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për sigurime shëndetësore, uroj që tre palët në këshillin ekonomik-social ta nënshkruajnë Marrëveshjen Kolektive, diçka që është bazament për të drejtat e sindikalistëve në Kosovë.

MASHTI mirëpret ndërprerjen e grevës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mirëpriti vendimin për nisjen e vitit të ri shkollor, por vuri në dukje se “greva ka shkaktuar dëm të madh”, ndaj kërkoi “angazhim për të rikuperuar humbjet”.

Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, ndaj menjëherë të hënën, më 3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës. Institucionet në komuna të marrin masa për fillimin e mësimit.

Greva në arsim dhe në administratën publike në nivelin lokal e qendror, nisi më 25 gusht. Për ta pezulluar, votoi pro rreth 55% e anëtarësisë së sindikalistëve. Për shkak të grevës, për gati pesë javë, mbi 300 mijë nxënës mbetën jashtë bankave të shkollave.

Sindikalistët kërkuan nga 100 euro në muaj për çdo punonjës, deri në hyrjen në fuqi të ligjit “Për pagat”. Por, qeveria vendosi një paketë ndihme për shkak të rritjes së inflacionit, duke ndarë nga 50 euro për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

Qeveria ka hartuar projektligjin “Për pagat”, që po i nënshtrohet konsultimeve publike e duhet të miratohet në Qeveri e Kuvend, para se të publikohet në Fletoren Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Fletoren Zyrtare, ligji hyn në fuqi.