Rajoni

BE-ja thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime!

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, tha se kryediplomatët e Bllokut iu bënë thirrje Kosovës e Serbisë të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërkaq, u shprehën të shqetësuar me mungesën e përparimit në takimin e javës së kaluar mes palëve në Bruksel. Borrell i informoi për takimin e 14 shtatorit Kurti-Vuçiç që dështoi.

Ministrat shprehën shqetësimin me mospërmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për këtë rrugë të normalizimit, palët ranë dakord më herët këtë vit. Eshtë një detyrim dhe Këshilli i Ministrave po u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive e në frymë të mirë për zbatimin e akordit.

Borrell kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe pret përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ajo që ne duam, ajo që ne kërkojmë, është që të fillojë zbatimi në bazë të propozimit tonë, pa vonesa të mëtejshme. Kjo përfshin detyrimin që të dyja palët të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e mëhershme.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, nuk ranë dakord rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët europianë thanë se ishte kryeministri Kurti që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.

Dje, Kurti fajësoi të dërguarin europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për dështimin e bisedimeve, duke e akuzuar për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës. Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Europian, por  Borrell tha se ministrat e Jashtëm të Bllokut ritheksuan mbështetjen e plotë ndaj ndërmjetësuesve.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi ato që i quajti “përpjekje të palodhura të Lajçakut në bisedimet Kosovë-Serbi”.