Aktualitet

Berisha bojkoton Begajn: Sot instalohet monizmi i plotë i Ramës!

Partia Demokratike e ka cilësuar betimin e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj si ditën e instalimit të monizmit të plotë të Edi Ramës në vend.

“Nga sot, Edi Rama dhe partia e tij shtet, kontrollojnë mbi 99% të pushteteve në Shqipëri. Ata kanë të përqendruar në duart e tyre 11% pushtet më shume se sa kontrollonte në 1991 Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist i Shqipërisë,” – thuhej në deklaratë.

PD thekson se çdo institucion drejtohet nga partia-shtet, ndërsa në bashkëpunim dhe me oligarkët sipas PD-së, Rama kontrollon plotësisht ekonominë, financat dhe çmimet e energjisë, ushqimeve dhe shërbimeve të qytetarëve.

Në deklaratën e Partisë Demokratike thuhej se 25 korriku dhe betimi i presidentit shënon rënien e rendit demokratik, kushtetues dhe vetë Kushtetutës, që garanton kontrollin dhe balancën e pushteteve.

Në fund të deklaratës thuhej se PD konsideron në rrezik demokracinë dhe do bëjë gjithçka për rregullimin e sistemit.