Politikë

Betimi i Bajram Begajt, Alibeaj sqaron nëse grupi i PD do të marrë pjesë në seancë

Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike do të marrin pjesë në seancën e të dielës në Kuvend, kur do të bëhet edhe betimi i Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj.

“Ne do të marrim pjesë në Kuvend. Seanca e nesërme është e parashikuar nga Kushtetuta. Qëndrimin tonë për zotin Begaj e kemi mbajtur dhe është i qartë. Ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të maxhorancës dhe nuk përfaqëson gjysmën e shqiptarëve”, tha Enkelejd Alibeaj.

“Por ka një ndryshim mes individit Bajram Begaj dhe Presidencës së Republikës si institucion. Kemi respektuar e do të respektojmë Kushtetutën dhe jo individët. Jemi shumë të qartë në këtë pozicion. Edhe në vitin 2017 kur Meta u zgjodh President, PD atëherë nuk mori pjesë në votim, por mori pjesë në ceremoninë e betimit”.

Më 4 qershor, kandidatura e Begajt mori 78 vota në Parlament, për t’u zgjedhur në krye të shtetit. Pjesa më e madhe e opozitës e bojkotoi seancën, por figura të veçanta, si Monika Kryemadhi, apo Shpëtim Idrizi, ishin të pranishëm.

Socialistët kishin të garantuara 77 vota, 74 nga radhët e veta dhe 3 nga radhët e Partisë Social Demokrate. Çka do të thotë që të paktën 1 votë nga opozita shkoi në favor të Begajt. Në votim morën pjesë 3 deputetë të LSI dhe 3 të PDIU, por zyrtarisht nuk dihet se cili prej tyre mund të ketë votuar pro. Begaj bëhet të dielën Presidenti i 8-të i Republikës pas rënies së sistemit komunist.