Aktualitet

Betohet Bajram Begaj, zyrtarisht presidenti i 8-të i Republikës së Shqipërisë!

Bajram Begaj është betuar sot në Kuvendin e Shqipërisë, duke marrë kështu zyrtarisht detyrën si President i Republikës.

Menjëherë pas betimit ne seancë plenare, Bajram Begaj mbajti fjalën e parë si President i Republikës.

“Ju faleminderit për besimin. Marrja e detyrës në këtë moment, rëndon përgjegjësia e unitetit tonë kombëtar. Kjo përgjegjësi vjen në një moment historik për vendin. Shqipëria ka hyrë në rrugë pa kthim drejt Europës. Shqipëria europiane sot, premtim nesër, realitet është përmbushja e projekteve shekullore.

Jemi ulur në tryezën e dialogut për të provuar denjësinë tonë si vend e shtet. Unë e njoh dhe e mbështes punën e qeverisë por përpjekja nuk mund të justifikojë asnjë dështim. Respektoj vlerat e opozitës. Periudha që po jetojmë është ndër më të vështirat, pas pandemisë, agresioni rus ndaj Ukrainës e ka futur botën në një tjetër krizë duke zgjuar kujtime të errëta. Askush nuk mund të jetë i përjashtuar nga pasojat. Angazhimi ynë është të gjejmë mënyra për të lehtësuar situatën dhe të kemi ndenjën e përgjegjësisë. Të mos i shmangemi detyrave dhe të mos përfitojmë nga situatat e vështira. Kriza e tranzicionit, krizat e prodhuara nga brenda apo jashtë, nga paaftësia për të gjetur një rrugë të përbashkët, të gjitha këto kanë krijuar pasiguri.

U betova sot se do t’i shërbej kushtetutës dhe të përmbush detyrën time, këtë mision do ta kryej mbi palët.

Do të mbështes bashkëpunimin mes forcave politike në gjetjen e rrugëve të përbashkëta se në fund jemi shërbyes të qytetarëve. Ne kemi nevojë të ridimensionojmë besimin publik. Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e të shkuarës. Duhet politikë e dialogut dhe e bashkëjetesës. Me vendosmëri të konsolidojmë shtetin e se drejtës për të garantuar një të ardhme siç e meritojë qytetarët. Të luftojmë për të gjetur vlerat e humbura. Le të punojmë për një harmoni politike dhe njerëzore. Të gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë tonë më të bukur, zoti bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët. Faleminderit!” ishte fjalimi i parë i Bajram Begajt si president i Republikës së Shqipërisë.

Partia Demokratike e ka cilësuar betimin e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj si ditën e instalimit të monizmit të plotë të Edi Ramës në vend.

Kush është Bajram Begaj?!

Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Begaj ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosura, duke u bërë mjeku i parë në ushti i cili arrin që të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.