Aktualitet Bota Health & Beauty Sport Travel

Biçikleta ka ditën e saj botërore dhe ajo është sot, më 3 qershor/Gëzuar të gjithë të apasionuarve!

Të shumtë janë ata që kanë një pasion për biçikletën e që zgjedhin të ndajnë edhe me fëmijët. Pikërisht biçikleta është protagonistja e ditës së sotme, në të gjitha format e ngjyrat e saj. Dy rrotat i japin botës më shumë ngjyrim e në këtë Ditë Botërore të Biçikletës, 3 qershori përbën një rast ideal për të lëvizur me të, duke i kushtuar kohën e merituar këtij mjeti besnik që na bën shoqëri.

Në kalendarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB, 3 qershori njihet si Dita Botërore e Biçikletës. Kjo ditë tërheq vëmendjen tek përfitimet që vijnë nga përdorimi i biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm financiarisht, i pastër dhe mjaft i përshtatshëm për mjedisin. OKB vlerëson:

Biçikleta kontribuon në ajër më të pastër e për më pak ngarkesë në trafik. Arsimin, kujdesin shëndetësor dhe të tjera shërbime sociale, i bën më të aksesueshme për popullatat më në vështirësi. Biçikleta është një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë, ndërkohë që forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Më 15 mars të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për integrimin e biçikletave të zakonshme në sistemet e transportit publik e kjo për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezoluta theksoi se biçikleta është një instrument i transportit të qëndrueshëm dhe përcjell një mesazh pozitiv për nxitjen e konsumit e produkteve që kanë një ndikim pozitiv tek klima.

Autoritetet rikujtojnë se aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar si, ecja, çiklizmi ose sporti sjellin përfitime të rëndësishme për shëndetin.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e barazisë më të madhe shëndetësore. Për këtë arsye, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm, por gjithashtu është i barabartë e me kosto të përballueshme.