Bota

Biden urdhëron blerjen e 100 milionë vaksinave anti-COVID!

Presidenti amerikan, Joe Biden konfirmoi se ka urdhëruar blerjen e 100 milionë dozave shtesë të vaksinës anti-COVID “Johnson&Johnson” që në fund të shkurtit u miratua nga autoritetet në Amerikë. Urdhri i Shtëpisë së Bardhë vjen ndërsa ajo përpiqet të shpejtojë procesin e imunizimit për të frenuar përhapjen e COVID-19, i cili vetëm në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar më shumë se 528,000 vdekje. Ndërkaq, Biden tha:

Kemi nevojë për fleksibilitet maksimal në rast të sfidave të paparashikuara. Kjo është një përpjekje heroike, patriotike, një bashkëpunim historik pothuajse i paparë, si në kohë lufte. Nëse kanë tepricë vaksinash do ta ndajnë atë me pjesën tjetër të botës.

Shtetet e Bashkuara kanë paguar tashmë mbi 1 miliard dollarë për 100 milion doza vaksine J&J dhe kanë alternativën për të blerë një shtesë prej 200 milion dozash. Që nga e marta në mëngjes, në Shtetet e Bashkuara janë shpërndarë rreth 128 milion doza nga tre vaksinat e autorizuara dhe janë administruar gati 96 milion, sipas të dhënave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, (CDC).