Botë e Çuditshme

Birra e prodhuar 86 vjet më parë për kurorëzimin e anuluar të Edward-it VIII del në shitje!

Shishet e birrës të prodhuara 86 vjet më parë për kurorëzimin e Eduardit VIII, por që mbetën të pahapura pas anulimit të eventit, do të dalin në shitje muajin e ardhshëm.
Edward VIII u ngjit në fronin britanik në janar 1936 pas vdekjes së babait të tij, George V. Por ai abdikoi në dhjetor të atij viti përpara kurorëzimit të tij në mënyrë që të mund të martohej me të divorcuaren amerikane Wallis Simpson. Prandaj, “Coronation Ale” e bërë për të festuar kurorëzimin e tij nuk u shit kurrë dhe u zbulua vetëm 75 vjet më vonë kur po kryhej puna në vitin 2011 në bodrumet e fabrikës së birrës Greene King në qytetin juglindor anglez të Bury St Edmunds.

Disa arka të birrës do të shiten në ankand nga kompania e pijetoreve më 5 maj, një ditë para kurorëzimit të mbretit Charles III, duke përkujtuar këtë rast, tha Greene King në një deklaratë për shtyp të martën. Të ardhurat nga shitja do të shkojnë për bamirësinë The Prince’s Trust, e cila u themelua nga Mbreti për të mbështetur të rinjtë nga komunitetet e pafavorizuara.

Është absolutisht magjepsëse që këto birra kanë qenë të shtrira në bodrum për 86 vjet, pasi fillimisht janë prodhuar për të festuar kurorëzimin e Edward VIII më 12 maj 1937. Përgatitjet e hollësishme të kurorëzimit morën më shumë se një vit për t’u rregulluar, por në kohën kur ndodhi ngjarja, ai tashmë kishte abdikuar, duke lënë ceremoninë dhe këto birra festive, të tepërta.

Birra në atë kohë ishte 12% ABV (Alkooli sipas vëllimit) dhe ishte bërë duke përdorur hop dhe elbi anglez për t’i dhënë asaj një aromë të pasur frutash, sipas fabrikës së birrës. Greene King ka bërë një botim të vitit 2023 të “Coronation Ale” që është 4% dhe ka nuanca të agrumeve dhe frutave tropikale dhe është në dispozicion tani në baret në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Jack Palmer, kryeprodhuesi i birrës në Greene King, tha në publikim:

Ne kemi prodhuar birrë për më shumë se 200 vjet dhe kemi krijuar birra të veçanta, të tilla si birra e kurorëzimit të vitit 1937 dhe 2023, do të thotë se mund të kapim momente në histori për t’i ndarë me brezat e mëtejshëm.