A Live Night Celebrities Gossip Music Showbiz

Cili është çelësi i suksesit të Capital T dhe çfarë e diferencon reperin nga artistët e tjerë?

‘A Live Night’ është prodhimi më i ri në Top Channel që padyshim është një risi e ekraneve tona. Deri më tani keni pasur mundësinë të shihni në intervista shumë më ndryshe nga sa jeni mësuar disa nga artistët e ‘A Live Night’ dhe t’i dëgjoni duke performuar ‘live’ teksa na falin një emocion shumë të vecantë duke performuar hitet e tyre ndër vite.

E teksa keni dëgjuar rrëfimet e Arilena Arës, Ylli Limanit dhe Ronela Hajatit, sonte Capital T është i ftuar për të thënë gjithçka nuk dinim nga artisti, duke nisur nga fëmijëria, vështirësitë që ka kaluar për të qenë këtu ku është sot si një personazh i konfirmuar, mendimin e tij mbi tregun muzikor në ditët e sotme, jetën personale e të tjera.

Ndër këto rrëfime, Kapo na tregoi se sipas tij, cili është ‘çelësi i suksesit’ që e ka bërë reperin të jetë këtu ku është sot.

Mendoj që çelësi i suksesit është që përçoj emocion. Unë kur e flas një gjë, nuk po them në të gjitha këngët se është e pamundur se unë vetë prodhoj shumë, po 90% e produkteve të mia përçojnë emocion se e flas diçka sikur edhe nëse nuk është gjë e imja e them sikur është përjetim i imi dhe prandaj njerëzit e përqafojnë më lehtë. Karriera ime ka qenë me faza-faza, ka pasur disa pika të rëndësishme që mua më kanë bërë të jem ky që jam. Përveç këngës debutuese që ka qenë shumë e veçantë, ka qenë dhe bashkëpunimi me Dafina Zeqirin dhe 2po2. Ka qenë videoklipi shumë më ndryshe nga çfarë ka sjellë industria asokohe. Mendoj që kënga ‘U bo vonë’ ka qenë ajo që e ka bërë diferencën prej meje dhe artistëve të tjerë. Ka qenë këngë që ka ‘thyer akullin’ nëper klubet e natës që vendosnin këngë të huaja dhe pas kësaj kur panë se pëlqehej dhe muzika jonë filluan të vendosnin muzikën shqiptare. Edhe sot e kësaj dite eksperimentoj me zhanre të ndryshme, më pëlqejnë të gjitha llojet e muzikës për t’i dëgjuar, nuk ka diçka që s’me pëlqen si zhanër bëhet fjalë, kështu që mundohem t’i bëj me ‘flejt’ me njëra-tjetrën që të jem dhe unë pjesë e atij balanci. Prej fillimit të karrierës kam eksperimentuar shumë, derisa kam gjetur një mes të artë.