Lifestyle

A i dini profesionet ku gratë po fitojnë më shumë se kurrë?

Edhe pse barazia e plotë në tregun e punës mbetet ende një sfidë, një studim i ri për vitin 2026 po sjell një panoramë shumë më optimiste për gratë.

Raporti i publikuar nga “Resume Genius” zbulon se ekzistojnë profesione ku gratë jo vetëm dominojnë në numër, por po ndërtojnë edhe karriera shumë të suksesshme financiarisht.

Sipas studimit “Karrierat më të Paguara, të Udhëhequra nga Gratë”, profesionet që ofrojnë paga të larta, fleksibilitet dhe mundësi të forta zhvillimi po tërheqin gjithnjë e më shumë gra, veçanërisht në një kohë kur balanca mes jetës private dhe karrierës është bërë prioritet.

Në krye të listës renditen drejtueset financiare, një sektor që po rritet me ritme të shpejta dhe ku gratë po marrin gjithnjë e më shumë role kyçe në vendimmarrje dhe strategji ekonomike.

Po ashtu, fusha e Burimeve Njerëzore vazhdon të mbetet një nga sektorët më të dominuar nga gratë, falë aftësive të komunikimit dhe inteligjencës emocionale që vlerësohen gjithnjë e më shumë nga kompanitë moderne.

Edhe industria farmaceutike dhe sektori i shëndetësisë po rezultojnë ndër zgjedhjet më të sigurta dhe fitimprurëse për gratë. Profesione si farmaciste, infermiere, asistente mjekësore dhe terapeute po konsiderohen jo vetëm të qëndrueshme financiarisht, por edhe më rezistente ndaj ndikimit të inteligjencës artificiale.

Raporti thekson gjithashtu rritjen e grave në fusha si marrëdhëniet me publikun, menaxhimi i donacioneve, terapia okupacionale, logopedia dhe mjekësia veterinare, profesione që kombinojnë të ardhura të mira me ndikim pozitiv në jetën e njerëzve.

Sipas ekspertëve, gratë po lulëzojnë më shumë në profesione ku vlerësohen empatia, bashkëpunimi dhe komunikimi, ndërsa fleksibiliteti dhe mundësia për zhvillim personal po bëhen po aq të rëndësishme sa paga.

Studimi parashikon se këto sektorë do të vazhdojnë të rriten fuqishëm deri në vitin 2036, duke i kthyer në disa nga profesionet më të kërkuara dhe më të favorshme për gratë moderne.