Departamenti amerikan i Shtetit përkrah aksionin policor të një dite më parë në kampin e Manzës në Durrës ku janë të strehuar rreth 3 mijë pjesëtarë të opozitës iraniane. Duke folur për kontrollet e djeshme, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, konfirmoi se u lënduan 15 efektivë dhe 21 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK). Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tha:
Policia e Shtetit në Shqipëri na siguroi se të gjitha veprimet u kryen në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj.
Zëdhënësi i DASH-it shtoi se SHBA-të nuk e cilësojnë MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzime të kryera kundër anëtarëve të tij”.
Drejtori Rrumbullaku tha se kur nisi kontrolli i të gjitha objekteve brenda kampit, kur u konstatuan paligjshmëri, salla serverash e pajisje kompjuterike, nisi rezistenca e anëtarëve të MEK-ut. Ende nuk dihet se çfarë hetimi po kryen SPAK-u ndaj tyre.
Sipas njoftimit, Policia e Shtetit tha se kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se vdekja e një personi brenda MEK-ut, një ditë më parë, nuk ka lidhje me veprimet e policisë.
I pyetur nëse fshihen iranianët e MEK-ut pas sulmeve kibernetike që u kryen në korrik të vitit të kaluar e që çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin, ministri Çuçi refuzoi të përgjigjej.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, më 2013-ën, autoritetet shqiptare ranë dakord të pranojnë rreth 3 mijë pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).
Por, zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate.
Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si “terroristë”. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi se qëndron pas sulmit kibernetik të korrikut 2022. Për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, një vit më parë u anulua, Samiti Botëror i Iranit të Lirë që do të mbahej më 23 e 24 korrik në “Ashraf 3”, në Manzë të Durrësit.