Film & Tv

Dokumentari për legjendën Schumacher, Netflix publikon datën e premierës!

Pas dy vitesh pritjeje, dokumentari zyrtar për legjendarin Michael Schumacher është më në fund gati.

Për një kohë të gjatë ka patur paqartësi se kur do të shfaqet premiera, por tani të gjitha pyetjeve u janë dhënë përgjigje: do ta shohim më 15 shtator  në platformën Netflix.

“Sfida më e madhe ishte gjetja e ekuilibrit midis raportimit të pavarur dhe respektit për familjen,” tha producentja e dokumentarit Vanessa Noecker, e cila foli për ndihmën e palëkundur të gruas së Michael, Corinna.

Si ajo ashtu edhe fëmijët e tyre, Mick dhe Gina, flasin për sportistin e shkëlqyer, duke e prezantuar se si ishte edhe  jashtë piste. Po ashtu është njoftuar se dokumentari do të nxjerrë në pah të mirat dhe të këqijat e personalitetit shumëdimensional të legjendës së lojërave, do të përfshijë imazhe që nuk kanë parë kurrë dritën e diellit, si dhe deklarata nga personalitete të mëdha të sportit.

Janë bërë plot 7 vite nga aksidenti i tmerrshëm me ski në Alpet Franceze, ndërsa gjendja e legjendës së Formula 1 vijon të jetë jo e mirë edhe pse ai është i vetëdijshëm tashmë.

Sipas mjekëve pas aksidentit ai  “është një person shumë i ndryshëm nga ai që ne kujtojmë dikur” si nga ana fizike edhe psikologjike. “Të gjitha këto kanë ndodhur si rezultat i traumës që pësoi truri”.

51-vjeçari po qëndron me familjen në shtëpinë e tyre pranë liqenit të Gjenevës në Zvicër. Për të kujdesen një ekip i specializuar mjekësh, 24 orë në ditë.