Celebrities Music Showbiz

Dua Lipa renditet e treta në “Billboard Hot 100” me “Levitating”!

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, në muajin mars të vitit 2020 lançoi albumin e saj të dytë të quajtur “Future Nostalgia”. Albumi, i cili përmban gjithsej 11 këngë, përkon me stilin e viteve të ’80 dhe tashmë të gjitha këngët janë plotësuar edhe me videoklip.

Ndërkohë, kënga “Levitating” në bashkëpunim me DaBaby, është një nga projektet që u prit shumë mirë në tregun ndërkombëtar dhe është shndërruar në hit. Pikërisht kjo këngë u rendit në vendin e tretë në “Billboard Hot 100” duke lënë pas yjet si Ed Sheeran, Justin Bieber, The Weeknd dhe Ariana Grande.

Në vend të parë është renditur “Butter” e grupit BTS kurse në vend të dytë “Good 4 u” nga Olivia Rodrigo. Pak muaj më parë, albumi “Future Nostalgia” u shpall ndër më të dëgjuarit në platformën “Spotify” me plot 4.7 miliardë transmetime. Ky album, i cili është në shitje nga kompania e prodhimit “Warner Records”, përfundoi tremujorin e parë të vitit 2021 me një shitje prej 68,926 kopjesh, ku 54,624 prej tyre ishin nga shërbimet e transmetimit online.

Rikujtojmë se, së fundmi këngëtarja e njohur ka hasur në disa telashe. Dua Lipa, është paditur për një fotografi të postuar pa leje në llogarinë e saj në “Instagram”.