Aktualitet

Dy vdekje pasi morën Sinovac, ekspertët përjashtojnë lidhjen me vaksinën

Ndërsa në vendin tonë vazhdon vaksinimi masiv i të moshuarve kundër koronavirusit me vaksinën “Sinovac” u ngritën shqetësime për vdekjen e dy personave në moshë të thyer që sapo e kishin marrë atë. Eshtë fjala për një 88-vjeçar nga Tirana që pati probleme me mushkërinë e pamjaftueshmëri në frymëmarrje, si dhe një 74-vjeçare nga Berati me hipertension.

Rastet nuk kaluan pa komente dhe dyshime, aq sa mjeku Erion Dasho kërkoi të pezullohet përkohësisht fushata e imunizimit deri në hetimin e plotë e vdekjet të provoheshin si të palidhura me vaksinën kineze. Dasho theksoi se thirrja nuk synon të ngjallë panik e as të dëmtojë procesin e dobishëm të vaksinimit por se kërkohet kujdes i jashtëzakonshëm.

Ndërkaq, autoritetet japin garanci për “Sinovac”-in. Silva Bino dhe Albana Fico theksojnë se “nuk ka lidhje me humbjet e jetëve e jo çdo vdekje pas vaksinimit, ka lidhje me të”. Ekspertet nënvizojnë se nuk mund të ndërpritet vaksinimi pasi çdo person i vaksinuar është jetë e shpëtuar. Apeli për qytetarët është të vaksinohen e të mbajnë kontakt me mjekun e familjes. Një ditë më parë u kryen 16.617 vaksinime kundër koronavirusit ndërsa në total, numri i tyre ka kaluar 155.400 në vendin tonë.