Health & Beauty Lifestyle Vitality Vibes | News

Raste të meningjitit në Shqipëri, Silva Bino tregon arsyet pse është përhapur ky infeksion!

Çdo javë emisioni “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin trajton një patologji të ndryshme, ku flasin njerëzit rreth një sëmundje, sqarohet si nisen simptomat e para dhe ndjesitë e tij. Më pas ky rrëfim i tregohet ekipit të mjekëve i cili shikon nëse mund të nxjerrin një diagnozë paraprake pa vizituar pacientin ose mund t’i japin një këshillë në mënyrë direkte, medikamente, ushtrime, këshilla, etj. E ftuar në këtë episod ishte shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, për të folur rreth rasteve të fundit të meningjitit tek fëmijët në Shqipëri.

Për të gjithë ata që ndoshta nuk dinë shumë rreth kësaj sëmundje, meningjiti është një infeksion i membranave (meningjeve) që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Meningjiti mund të shkaktohet nga një infeksion bakterial, fungal ose viral. Meningjiti mund të jetë akut me një fillim të shpejtë të simptomave, kronik, që zgjat një muaj ose më shumë, ose i butë ose aseptik. Për më shumë, Silva Bino shpjegoi:

Meningjiti natyrisht është një sëmundje e rëndë dhe kemi dy lloje meningjitesh, meningjitin bakterial dhe meningjitin tjetër, apo meningjitin aseptik. Pra, meningjitin me likuor të turbullt dhe meningjitin me likuor të qartë. Për shkak të  ngjyrimit apo pamjes së lëngut truno-shpinor dhe meningjiti bakterial shkaktohet nga baktere të ndryshme kurse meningjiti me likuor të qartë kryesisht shkaktohet edhe nga viruset, por edhe mykrat apo patogjenë të tjerë.

Kushdo që përjeton simptoma të meningjitit duhet të shohë menjëherë një mjek. Së fundmi, një rast është shfaqur në Durrës, duke alarmuar të gjithë Shqipërinë. Përsa i përket meningjitit bakterial, ajo shpjegoi se ka tre shkaktarë kryesorë. Për të treja këto ne kemi vaksina në kalendarin e vaksinimit, por për njërin prej tyre shqetësimi është më i madh. Ai është meningjokoku dhe për këtë nuk ka një epidemi aktualisht. Më tej, ajo shtoi:

Ne nuk kemi epidemi aktualisht sepse në qoftë se flasim për epidemi për disa raste të lidhura me njëra-tjetrën ose edhe ajo që ne e quajme grupim për disa raste të ndara, por që janë në të njëjtën kohë me njëra-tjetrën. Kjo gjë nuk ekziston sot. Pra, ne kemi pasur vetëm një rast në Durrës. Natyrisht në Durrës kemi pasur edhe një rast tjetër vitin e kaluar, por nuk janë raste që lidhen me njëra-tjetrën.