Pas shqetësimeve me mpiksjen e gjakut, Danimarka, Norvegjia dhe Islanda pezullojnë vaksinimin me vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s. Po ashtu Italia bllokoi dozat me kodin ABV2856 pas një vdekjeje të dyshimtë në vendin fqinj. Një ushtarak i moshës 43-vjeç nga Siçilia humbi jetën nga një infarkt kardiak në banesën e tij ndërsa një ditë më parë kishte marrë vaksinën e “AstraZeneca”-s. Autoritetet italiane do të nisin verifikimet ndërsa kryeministri Mario Draghi zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Nga biseda rezultoi se për momentin nuk ka lidhje mes rasteve të trombozës në Europë e vaksinës. Ndërkaq, në vendet që vendosën pezullimin po bëhen verifikime ndonëse Agjencia Europiane e Medikamenteve dhe vetë kompania farmaceutike sigurojnë se nuk ka vend për alarm. Të djelën e kaluar ishte Austria që pas vdekjes së dyshimtë të një gruaje të vaksinuar, nga embolia pulmonare që lidhet me bllokimin e njërës prej arterieve në mushkëri, pezulloi dozat me kodin ABV5300. Në të njëjtën mënyrë veproi dhe Estonia, Lituania, Luksemburgu e Letonia. Por përveç Danimarkës, Austrisë, Estonisë, Lituanisë, Luksemburgut e Letonisë, të njëjtat pra ABV5300 të “AstraZeneca”-s u shpërndanë dhe në Bullgari, Qipro, Francë, Greqi, Islandë, Irlandë, Maltë, Holandë, Belgjikë, Poloni, Spanjë e Suedi. Ndërkaq, në vendin tonë sot pritet të mbërrijnë mbi 38 mijë doza të “AstraZeneca”-s që do të përdoren dhe për moshat mbi 65-vjeç.