Rajoni

Tensionet në veri, Qeveria e Kosovës shtyn me një muaj zbatimin e reciprocitetit!

Me kërkesë të ndërkombëtarëve, Qeveria e Kosovës shtyn me një muaj, zbatimin reciprocitetit. Kjo lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Vendimi rreth mesnate u publikua pak pas takimit të drejtuesve të vendit, me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, i cili kërkoi shtyrje 30 ditore. Ky takim pasoi shtimin e tensioneve në veri, ku grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Diplomati i Uashingtonit u shpreh:

Mendoj se shtyrja e zbatimit të reciprocitetit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Europian, që të ulen tensionet.

Ambasadori Hovenier bëri të qartë se nuk po kërkojnë anulimin e vendimit, por shtyrjen.

Në një deklaratë, Qeveria e Kosovës thekson se “dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje”.

Bëhet fjalë për një tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes e sigurisë së qytetarëve dhe vendit. Akte të shumta agresive pati pasditen dhe mbrëmjen e së dielës, të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Për zhvillimet e fundit në veri, kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani patën takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe europianë e Qeveria e Kosovës zotohet që të shtyhet deri më 1 shtator, zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022. Gjatë ditës pritet të hiqen të gjitha barrikadat e të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak mirëpriti vendimin e Kosovës “për të pranuar propozimin e (shefit të politikës së Jashtme të BE-së) Josep Borrell për shtyrje për 1 muaj”. BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara.

Mirënjohës ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë për mbështetjen e fuqishme!