Aktualitet Politikë

Rama për Euronews Serbia: Protesta sinjal se jetesa është bërë më e mirë!

Në një intervistë për Euronews Serbia, kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet me Serbinë teksa u shpreh se tubimet janë pasojë e rritjes së pritshmërive të qytetarëve dhe jo thjesht e një pakënaqësie të momentit.

Për protestat, Rama u shpreh se janë një tregues se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku qytetarët kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta.

Është shumë më tepër se një çështje konkrete. Është një sinjal se vendi ka kaluar në një nivel tjetër, se zhvillimi është bërë normal dhe se njerëzit nuk janë më të gatshëm të pranojnë atë që mungon.

Sipas Ramës, qytetarët janë bërë më pak tolerantë ndaj mangësive dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Njerëzit duan më shumë dhe e duan menjëherë. Nuk mund t’i fajësojmë për këtë. Ky është çmimi që paguajmë për suksesin tonë. Kjo është një protestë e pritshmërive në rritje dhe ne duhet të përballemi me të.

Kreu i qeverisë argumentoi se përmirësimi i standardit të jetesës është një nga arsyet kryesore pse qytetarët protestojnë më shumë. Sipas tij, ndryshimi i mentalitetit është i natyrshëm në një shoqëri që zhvillohet.

Pavarësisht kritikave, arsyeja është se njerëzit jetojnë më mirë dhe për këtë kërkojnë edhe më shumë. Shoqëritë e varfra kanë një prag të lartë tolerance ndaj mungesave, ndërsa shoqëritë në zhvillim kanë pritshmëri shumë më të larta për atë që duhet të funksionojë.

Njerëzit e varfër thonë: ‘Mund të jetë edhe më keq’. Ata që nuk janë më të varfër thonë: ‘Mund të jetë shumë më mirë’. Dhe kanë të drejtë. Problemi është të mos biem në recetat e gabuara, sepse atëherë situata mund të përkeqësohet.

Rama u ndal edhe te marrëdhëniet me Aleksandar Vuçiç-in dhe nisma “Ballkani i Hapur”, duke pranuar se presidenti serb është një partner i vështirë në negociata.

Vuçiçi është gjithmonë i vështirë për të negociuar.

Duke komentuar nismën “Ballkani i Hapur”, u shpreh me ironi se projekti u paragjykua për shkak të figurave që e promovuan.

Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye: sepse unë dhe Vuçiçi qëndronim pas saj. Po të ishin pesë emra të rinj, do të ishte konsideruar një ide e shkëlqyer. Kështu funksionojnë gjërat në Ballkan.

Ndër të tjera, shefi i qeverisë theksoi se në kushtet aktuale gjeopolitike, marrëdhënia mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është reciproke.

Sot Evropa ka nevojë për ne po aq sa ne kemi nevojë për Evropën.