Bota Music Tech

Eurovizioni i përgatitur përballë kërcënimit kibernetik/Sot performon Albina e Familja Kelmendi!

“Përgatitjet e Eurovizionit për një kërcënim të mundshëm kibernetik nga Rusia janë optimale dhe organizatorët ndihen shumë të sigurt”. Këtë vlerësim jep drejtori menaxhues i festivalit europian të këngës në BBC. Transmetuesi ka punuar me ekipin e specializuar të Bashkimit Europian të Transmetuesve dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike që përpara se të niste Festivali Europian i Këngës në Liverpul.

Ukraina fitoi konkursin e vitit të kaluar, por pushtimi nga Rusia bëri që organizimi t’i besohej Britanisë së Madhe. Sot është nata e dytë gjysmëfinale dhe Shqipëria përfaqësohet me Albina dhe Familja Kelmendi me këngën “Duje”.

Martin Green i BBC-së, i cili gjithashtu drejtoi ceremoninë olimpike në Londër 2012, tha se mënyra më e mirë për t’u përballur me çdo kërcënim ishte bashkëpunimi.

Organizova ceremoninë e hapjes së Olimpiadës, 12 vjet më parë dhe tani po e bëj sërish. Mënyra për ta trajtuar kërcënimin është thjesht të siguroheni që kemi njerëzit më të mirë pranë nesh dhe ne i kemi dhe jemi me shumë me fat për këtë.

Green konfirmoi se pati shumë testime, por nuk ndau detaje më specifike. Martin Osterdahl, mbikëqyrësi ekzekutiv i EBU-së për Eurovizionin, gjithashtu adresoi vendimin e tij për të bashkëpunuar me platformën e mediave sociale TikTok, si partner zyrtar.

Në mars, Parlamenti i Britanisë së Madhe njoftoi se do të bllokonte aplikacionin nga pajisjet dhe rrjetet e tij për shqetësime sigurie. Të tjera vende gjithashtu e kanë kufizuar ose ndaluar. Osterdahl tha se EBU planifikoi të rishikonte partneritetin me TikTok-un kur të përfundonte kontrata aktuale.

TikTok është anëtar i organizatës sonë, kështu që ne e dimë se çfarë po ndodh në secilin vend dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër. Ne po i shqyrtojmë të gjitha marrëveshjet tona të sponsorizimit rregullisht, si dhe skadencën e tyre. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë me TikTok-un. Do të shohim si do të jetë situata kur të skadojë ajo kontratë.

Gjithashtu konfirmoi se njerëzit në Rusi janë të ndaluar të votojnë në garën e këtij viti për shkak të sanksioneve financiare ndaj vendit duke e bërë të pamundur që të paguajnë tarifën e votimit. Rusisë iu ndalua të konkurronte në garë vitin e kaluar pas pushtimit të Ukrainës.

Por, për herë të parë në historinë gati shtatë dekadëshe të konkursit, njerëz nga vende jashtë konkursit janë në gjendje të votojnë për këngën e preferuar këtë vit. Votat iu konvertohen në pikë që kanë të njëjtën peshë si një vend pjesëmarrës duke lejuar potencialisht disa qytetarë rusë të ndikojnë në votim.