Botë e Çuditshme

Fatin e këtij do të donim të gjithë, kroati që i ka shpëtuar 7 herë vdekjes dhe më pas fitoi lotarinë!

Rasti i Frane Selak është për studim, pasi ky burrë ka shmangur vdekjen plot shtatë herë dhe më pas ka fituar lotarinë në moshën 74-vjeçare. Kroati, i cili ka lindur në vitin 1929, kuptoi që ishte me fat kur në vitin 1962, vagoni i trenit në të cilin ndodhej ra në një lumë, duke vrarë të 17 pasagjerët brenda, përveç tij.

Një vit më pas, dera e avionit me të cilin po udhëtonte u shkëput dhe Frane ra për fatin e tij të mirë në një mullar kashte. 19 udhëtarët e tjerë nuk e patën këtë fat, duke humbur jetën kur avioni u rrëzua disa kilometra më larg. Tre vjet më vonë, në vitin 1966, i mbijetoi një aksidenti të rëndë me autobus, me mjetin që humbi kontrollin dhe ra nga ura. 4 viktima nga ky aksident, ndërsa Selak shpëtoi duke dalë në breg të lumit me not.

Pas 4 vitesh, Frane mbijetoi në një tjetër aksident, kësaj radhe me makinën personale, që mori flakë papritur. Kroati doli shpejt nga makina, që pas 30 sekondash shpërtheu. Tre vjet më vonë, motori i makinës së re që bleu shpërtheu kur ai po punonte me të. Rezultati, vetëm djegie te flokët dhe asnjë dëmtim i rëndë në kokë.

Në vitin 1995, Frane u përplas nga një autobus teksa po kalonte rrugën, por çuditërisht pati vetëm lëndime të lehta. Një vit më vonë, në vitin 1996, ai i shpëtoi një përplasjeje të shumëfishtë me një kamion të Kombeve të Bashkuara, duke u hedhur nga automjeti në një greminë, por i shpëtuar nga degët e një peme. Historia e Frane Salek padyshim që duhet bërë një film. Dhe nëse mendoni se mbaroi këtu historia e tij, e keni gabim. Në vitin 2003, vetëm dy ditë pas ditëlindjes së tij të 74-të, ai fitoi 800 000 euro në lotari. Epo nuk kemi çfarë të themi tjetër vetëm se t’i gëzojë ato para.