Bota Tech

Fatura të papaguara, firma këshilluese me bazë në SHBA padit Twitter!

Firma këshilluese me bazë në SHBA ‘Innisfree M&A Incorporated’ paditi së fundmi Twitter-in në Gjykatën e Lartë të Shtetit të Nju Jorkut, duke kërkuar rreth 1,7 milionë euro për ato që ajo thotë se janë fatura të papaguara pasi këshilloi kompaninë e mediave sociale për blerjen e saj nga Elon Musk vitin e kaluar. Në padi thuhet:

Që nga 23 dhjetori 2022, Twitter mbetet në mospërmbushje të detyrimeve të tij ndaj Innisfree sipas Marrëveshjes në një shumë prej jo më pak se 1,757,319.89 euro.

Twitter-i dhe një avokat për Innisfree nuk iu përgjigjën kërkesës për koment e bërë nga ana e Reuters. Musk në tetor mbylli marrëveshjen prej 40,6 miliardë eurove të shpallur në prill të atij viti dhe e privatizoi Twitter-in. Muajin e kaluar Crown Estate i Britanisë, një biznes i pavarur tregtar tha se kishte filluar procedurat gjyqësore kundër Twitter për qiranë e papaguar të pretenduar në selinë e saj në Londër.

Shpenzimet e reklamave në Twitter Inc ranë me 71% në dhjetor, treguan të dhënat nga një firmë kërkimore reklamash, pasi reklamuesit kryesorë ulën shpenzimet e tyre në platformën e mediave sociale pas blerjes së platformës nga Musk. Bankat që siguruan 12 miliardë euro financim vitin e kaluar për blerjen e Twitter nga shefi ekzekutiv i Tesla-s braktisën planet për të shitur borxhin tek investitorët për shkak të pasigurisë rreth pasurive dhe humbjeve të kompanisë së rrjeteve sociale.

Twitter bëri pagesën e parë të interesit për një kredi që bankat dhanë për të ndihmuar në financimin e blerjes së Musk të kompanisë së mediave sociale vitin e kaluar. Rikujtojmë, se përdoruesit e Twitter do të jenë në gjendje të apelojnë pezullimet e llogarive dhe të vlerësohen sipas kritereve të reja të platformës së mediave sociale për rivendosjen, duke filluar nga 1 shkurti. Sipas kritereve të reja, të cilat pasojnë blerjen e kompanisë nga miliarderi Elon Musk në tetor, llogaritë e Twitter do të pezullohen vetëm për shkelje të rënda ose të vazhdueshme dhe të përsëritura të politikave të platformës.