Aktualitet

Fier, masivet pyjore të Peshtanit e Kreshpanit në flakë!

Në Fier, masivet pyjore të Peshtanit e Kreshpanit vijojnë nën pushtetin e flakëve. Një vatër që përgjatë natës qëndroi aktive, mori përhapje më të gjerë duke rrezikuar dhe banesat në Kraps, por u neturalizua shpejt nga zjarrfikësit. Në zonë ndodhen 6 mjete zjarrfikëse, 80 forca ushtrie e në ndihmë të tyre shkoi helikopteri Cougar. Një ditë më parë u dogjën dy banesa të braktisura, si dhe një ambient që pëdorej si kuzhinë.

Mbi 40 viktima nga zjarret vdekjeprurëse në Mesdhe, shumica në Algjeri ku humbën jetën 34 vetë. Në mesin e tyre ishin 10 ushtarë të rrethuar nga flakët gjatë një operacioni evakuimi në provincën bregdetare Bejaia, më e goditura nga flakët.

Flakët rrezikojnë një numër të madh të fshatrave e vendpushimeve turistike. Mijëra njerëz janë evakuuar nga zonat në rrezik. Greqia po përgatitet të organizojë më shumë fluturime për evakuim të njerëzve nga Rodosi, pasi zjarre ka edhe në ishujt e Korfuzit e të Evias. Vala e gjatë e të nxehtit nuk duket se do të ndalet. Pritet që temperaturat të rriten mbi 44 gradë Celcius në disa pjesë të Greqisë.

Italia e shkatërruar nga pasojat e ndryshimeve të klimës. Zjarre dhe përmbytje, vendi fqinj drejt shpalljes së emergjencës në pesë rajone mes stuhisë që goditi Lombardinë dhe flakëve që nuk njohin fre në Siçili nga Palermo në Katania, deri në Taormina. Pesë viktima nga moti ekstrem.  Sa i përket zjarreve, bilancit të 24 orëve të fundit i shtohet fakti që janë gati 2 mijë të zhvendosur.

Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme në Itali do të merret sot. Po ashtu, po përgatitet një dekret në lidhje me klimën.  Alarm i verdhë për mot të keq në Abruzzo, Emilia Romagna, Lombardi, Marche e Molise.  Qytetet me të kuqe për shkak të vapës janë ulur në dy: Bari dhe Catania. Në Siçili, Mbrojtja Civile dhe zjarrfikësit janë në punë pa pushim.