Bota

Gjermani, vritet një sulmues pranë Konsullatës izraelite në Mynih!

Një person i armatosur hapi zjarr ndaj policisë gjermane dhe më pas u qëllua për vdekje nga efektivët në afërsi të Qendrës për dokumentimin e epokës naziste në Mynih e Konsullatës izraelite. Lajmin e dha ministri i Brendshëm në shtetin e Bavarisë.

Policia u përgjigj me armë ndaj sulmuesit, i cili kishte pushkë e qëlloi disa herë, deklaroi Joachim Herrmann, duke shtuar se agresori humbi jetën nga plagët e marra. Herrmann shtoi:

Eshtë e qartë se skema e krimit afër qendrës së dokumentimit dhe misionit diplomatik izraelit mund të ofrojë informacione rreth motivit të personit të armatosur.

Po sot shënohet 52-vjetori i sulmit të tmerrshëm ndaj ekipit izraelit gjatë Lojërave Olimpike të vitit 1972 nga një grup militant palestinez.

Policia në Mynih tha se nuk ka tregues se ka të dyshuar të tjerë për këtë rast, duke shtuar se nuk ka persona të tjerë të plagosur. Qendra në Mynih për Dokumentimin e Historisë Kombëtare të Socializmit gjendet në vendin ku ndodhej selia e partisë naziste dhe është në afërsi të Konsullatës izraelite.

Gjermania, thirrje qeverisë izraelite në terma jashtëzakonisht të qarta, të mos refuzojë negociociatat për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin palestinez. Apeli erdhi nga ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock. Zgjidhja parashikon një shtet të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore krah për krah me Izraelin.

Ndërkaq, pati sulme ajrore izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, 5 viktima. Izraeli po kryen kontrolle në shkallë të gjerë në territor javët e fundit dhe thotë se këto operacione kanë për qëllim shkatërrimin e grupeve militante, si dhe parandalimin e sulmeve. Palestinezët i tremben faktit se po zgjerohet lufta e Gazës.

Ushtria izraelite kreu tre sulme ajrore në Tubas. Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Në Gaza, lufta vijon prej 7 tetorit të kaluar e pasoi sulmin e Hamasit në jug të shtetit hebraik.