Tech

“Google Maps” vjen me një ndryshim të ri!

Kompania “Google” po sjell në “Maps” mundësinë që përdoruesit të shtojnë informacione për rrugë që mungojnë, foto vendesh dhe orare dyqanesh. Në blogun zyrtar për njoftimet “Google” shkroi:

Me të gjitha ndryshimet që ka kaluar bota jonë gjatë vitit të kaluar, njerëzit gjithnjë e më shumë po mbështeten në mjete dixhitale për të ditur nëse një restorant apo dyqan ushqimesh pranë është i hapur apo jo. Për t’u siguruar që “Maps” pasqyron botën reale, ne vendosëm të lejojmë cilindo që ka një llogari të kontribuojë me njohuritë e tij lokale në përmirësimin e saj.

Kjo risi do t’i lejojë përdoruesit të përditësojnë emrat e rrugëve dhe klubeve, për t’u siguruar që përputhen saktësisht me adresat fizike. Një tjetër tipar është opsioni për të shtuar fotografi, për të ndarë hollësi të vogla në lidhje me një vend dhe për ta pasuruar atë me imazhe, që përshkruajnë tiparet tashmë të pranishme, përmes tekstit dhe link-eve. Me të njëjtin funksion është e mundur të futen ose sugjerohen ndryshime për oraret e dyqaneve dhe hapësirave publike.

“Google” do të rishikojë kontributet përpara se t’i bëjë ato publike, për t’u siguruar që ato janë të sakta. Përveç kësaj, kompania do të paralajmërojë në rast të korrigjimeve kritike, të tilla si ndryshimi i një shtegu biçikletash në rrugë. Përditësimi aktualisht është i disponueshëm në SHBA dhe do të mbërrijë në më shumë se 80 vende në muajt e ardhshëm, si në versionin desktop të “Google Maps” ashtu edhe në atë Android.