Bota Tech

Ndërprerje globale, Facebook dhe Instagram jashtë funksioni!

Kompania Meta po përballet me probleme të mëdha teknike në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, duke prekur miliona përdorues në mbarë botën. Ndërprerja e papritur ka bërë të pamundur aksesimin e platformës për shumë përdorues.

Raportimet tregojnë se përdoruesit nuk mund të hyjnë në llogaritë e tyre, ndërsa shumë prej atyre që ishin aktivë janë nxjerrë automatikisht nga sistemi.

Për disa, platforma shfaq mesazhin “llogaria është e padisponueshme” si në versionin web, ashtu edhe në aplikacionin mobil.

Për ata që ishin aktivë në momentin e ndërprerjes, sistemi i ka detyruar të dalin nga llogaria, duke mos lejuar rikthimin.

Problemet nuk lidhen vetëm me postimet apo ngarkimin e përmbajtjes, por me vetë aksesin në llogari, duke e bërë të pamundur përdorimin normal të rrjeteve sociale. Përdoruesit e Messenger gjithashtu raportojnë vështirësi në komunikim.

Mijëra persona kanë përdorur platformën Downdetector për të raportuar problemet.

Një përdorues shkroi:

Nuk mund të hyj në Facebook, thjesht thotë se llogaria është e padisponueshme.

Një tjetër shtoi: Eshtë hera e tretë brenda një muaji që ndodh kjo.

Shumë përdorues të prekur kanë zgjedhur të raportojnë situatën në platforma alternative si Twitter/X, ku ankesa masive kanë bërë që #Facebook të kthehet në trend global.

Deri më tani, Meta nuk ka dhënë reagim zyrtar për shkakun e problemeve teknike dhe nuk ka ofruar një afat kohor për rikthimin e plotë të shërbimeve.