Rajoni

Greqia më pak e trembura në BE nga kriza e energjisë!

Në një takim me Komitetin e Menaxhimit të Krizave të Energjisë të Ministrisë greke së Energjisë dhe Mjedisit, kryeministri Kyriakos Mitsotakis vuri në dukje se “Greqia ndodhet në një pozicion më të favorshëm ndaj mungesës së mundshme të energjisë, krahasuar me shumë nga vendet e Bashkimit Europian”. Kryeministri u informua për skenarët alternativë të komisionit në rast të një uljeje të disponueshmërisë apo edhe një ndërprerje të plotë të furnizimeve nga Moska, si kundërpërgjigje për sanksionet lidhur me luftën në Ukrainë të Rusisë e që vijon nga data 24 shkurt e këtij viti.

Sipas burimeve qeveritare në Athinë, “u prezantuan të gjitha të dhënat për prodhimin, importin, eksportin e magazinimin dhe u konstatua se Greqia është në një pozicion më të favorshëm ndaj mungesës së mundshme të energjisë në krahasim me vendet e tjera të BE-së”.

Në takim u vlerësua edhe trajektorja e çmimeve ndërkombëtare të karburanteve e po ashtu edhe ndikimi në fuqinë fiskale të ekonomisë.
Në Europë, gjithnjë e më e madhe është frika se kriza energjetike mund të përkeqësohet nëse Rusia shkurton më tej furnizimet me gaz natyror ose mbyll rubinetat, ndërsa vendet europiane kërkojnë të rimbushin rezervat e tyre përpara dimrit. Në një deklaratë të Komisionit Europian, theksohet se “Rreziqet për parashikimin e aktivitetit ekonomik dhe inflacionit, varen në masë të madhe nga zhvillimi i luftës, veçanërisht nga implikimet e saj për furnizimin me gaz në Europë”.

Energjia përbën një sfidë të madhe për BE-në, e cila prej vitesh është mbështetur shumë në naftën, gazin natyror dhe qymyrin rus për makinat, fabrikat, sistemet e ngrohjes e termocentralet. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen konfirmoi se Blloku po punon për një plan për zgjidhjen e krizës energjetike, i cili do të publikohet në mes të këtij muaji.