Sipas parashikimeve të fundit ekonomike të Bashkimit Europian, lufta e Rusisë në Ukrainë, në të ardhmen pritet t’i shkaktojë dëme të mëdha zhvillimit ekonomik të Unionit, si dhe të shkaktojë rritje më të ulët ekonomike e po ashtu inflacion të lartë rekord. Në Eurozonë, vlerësohet se inflacioni do të arrijë në 7.6 për qind këtë vit dhe do të ulet në katër për qind, vitin e ardhshëm. Në qershor, indeksi i çmimeve të konsumit në Eurozonë u rrit me 8.6 për qind, krahasuar me një vit më parë. Zv.presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis shprehet:
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon të hedhë një hije të rëndë mbi Europën dhe ekonominë tonë.
Lufta çoi në rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, të cilat sjellin norma të larta inflacioni dhe rëndojnë rritjen ekonomike e besimin e konsumatorëve. Gjithnjë e më e madhe është frika se kriza energjetike mund të përkeqësohet nëse Rusia shkurton më tej furnizimet me gaz natyror ose mbyll rubinetat, ndërsa vendet europiane kërkojnë të rimbushin rezervat e tyre përpara dimrit. Në një deklaratë të Komisionit Europian, theksohet:
Rreziqet për parashikimin e aktivitetit ekonomik dhe inflacionit, varen në masë të madhe nga zhvillimi i luftës, veçanërisht nga implikimet e saj për furnizimin me gaz në Europë.
Për t’i bërë gjërat edhe më të vështira, rritja e fundit e rasteve me koronavirusin COVID-19, po shkakton vështirësi të reja.
Nuk përjashtohet mundësia që një pandemi e re në Bashkimin Europian, të sjellë tronditje të reja në ekonomi.
Energjia përbën një sfidë të madhe për BE-në, e cila prej vitesh është mbështetur shumë në naftën, gazin natyror dhe qymyrin rus për makinat, fabrikat, sistemet e ngrohjes e termocentralet. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen konfirmoi se Blloku po punon për një plan për zgjidhjen e krizës energjetike, i cili do të publikohet në mes të këtij muaji.