Rajoni

Haga sot nis gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi!

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot nisin të jepen deklaratat hyrëse në rastin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte e kundër njerëzimit. Fillimisht, prokurori i specializuar do të lexojë deklaratën e tij. Gjyqtarët i kanë caktuar një afat prej pesë orësh për të përmbledhur rastin që synon të paraqesë. Më pas është radha e avokatit të viktimave të cilit i lihen 45 minuta në dispozicion. Ditët në vijim do të dëgjohen edhe përfaqësuesit e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.

Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, tortura dhe zhdukje me forcë e dyshohet se janë kryer në disa qytete të Kosovës e zona të veri të Shqipërisë. Që të katërt janë deklaruar të pafajshëm.

Në aktakuzën e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmenden 40 vende ku ka dyshime se u kryen krime. Po ashtu, aty përmenden më tepër se 400 persona që dyshohet se u ndaluan në mënyrë të jashtëligjshshme, 102 të vrarë e 20 të zhdukur.

Një ditë më parë, mijëra qytetarë morën pjesë në “Marshin për Drejtësi”, të organizuar në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë në Hagë.

Njëri nga ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se “UÇK-ja është emëruesi i përbashkët, vlera më sublime që kemi krijuar së bashku”. Marshimi i organizuar nga kjo platformë nisi në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të atij “Skënderbeu”. Krahas Tashollit, fjalën e morën edhe përfaqësues që shprehën përkrahje.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha:

Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë.

Flaka, vajza dëshmorit Fatmir Fazlia, u shpreh se UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk “është organizatë kriminale, por organizatë çlirimtare”.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur deklaroi se siç u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Hagës, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, të pafajshëm do të shpallen edhe ata që sot po gjykohen në Hagë.

Në mënyrë të organizuar, mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës u mblodhën për të marshuar në kryeqytet. “Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike” ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.