Rajoni

Drejtësi për krerët e UÇK, përfundon marshi më i madh në Kosovën e pasluftës!

Në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre që ndodhen në Hagë, në Prishtinë u zhvillua sot një marshim solidarizues nga qytetarët. Sheshi u mbush aq shumë sa në çdo media të Kosovës, thuhej se s’po i nxinte.

Protesta u organizua nga Platforma “Liria ka emër” dhe mori mbështetjen e partive politike, shoqërisë civile, bashkësisë fetare dhe shumë qytetarëve të ndërgjegjësuar. Teksa nesër pritet gjyqi në Hagë për krerët UÇK-së, mijëra protestues mbushën sheshet e vendit në përkrahje të tyre.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se marshi dhe mbështetjen e madhe të qytetarëve të Kosovës po e ndiqnin live edhe vetë liderët e UÇK-së që janë në Hagë.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë deklaruar se ish-krerët e UÇK-së nuk po përballen me akuza dhe procese gjyqësore për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por sepse emrat e tyre lidhen me luftën e Kosovës për liri.

Duke i cilësuar të pabaza akuzat dhe të padrejtë zvarritjen e hetimeve, ishin vetë organizatorët e marshimit që bënë thirrje për pjesëmarrje masive. “E vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë.”-kanë thënë organizatorët Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli.  Marshimi “Liria ka emër” nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe u mbyll në sheshin “Skënderbeu”.

Marshimi u mbajt një ditë para se të nisë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK në Hagë.

Ditën e nesërme është thirrur një tjetër protestë në Hagë nën moton “Mos ma gjykoi lirinë”.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi edhe ndaj ish-pjesëtarit tjetër të UÇK-së, Pjetër Shala. Ndërsa, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e kishte shqiptuar dënimin e parë për krime lufte. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.