Tech

Helikopteri i parë në Mars, u mbijeton temperaturave ekstreme!

“Ingenuity” quhet helikopteri i NASA-s, i cili mbijetoi natës së parë në sipërfaqen e ngrirë të Marsit, një hap i rëndësishëm ky në misionin historik të tij.

Mjeti fluturues i cili peshon më pak se 2 kg, u shkëput nga roveri “Perseverance” më 3 prill dhe ndërmori një sërë lëvizjesh para se të prekte sipërfaqen e Marsit.

Krateri Jezero, që është edhe  vendqëndrimi i roverit “Persevecance”, mund të regjistrojë temperatura që shkojnë deri në minus 130 gradë celcius.

Gjatë muajit shkurt të këtij viti, roveri ”Perseverance” mbërriti në tokën e Marsit pas shtatë muajve udhëtim, duke shënuar fillimin e një misioni disa-vjeçar në planetin e kuq.

Krateri Jezero, për të cilin shkencëtarët besojnë se përmbante një liqen 3,5 miliardë vjet më parë, ishte vendi më i rrezikshëm i ndalimit që NASA kishte tentuar ndonjëherë.

”Perseverance” është ngarkuar për të mbledhur aty prova të jetës antike në Mars.