NASA ka hapur aplikimet për vullnetarë që dëshirojnë të marrin pjesë në një eksperiment njëvjeçar, i cili simulon një mision njerëzor drejt Marsit. Megjithëse pjesëmarrësit nuk do të largohen nga Shtetet e Bashkuara dhe as nuk do të dalin në hapësirë, ata do të jetojnë për një vit në kushte izolimi që imitojnë një udhëtim drejt Planetit të Kuq.
Eksperimenti zhvillohet në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston, si pjesë e programit kërkimor të NASA-s për përgatitjen e misioneve të ardhshme me astronautë në Hënë dhe Mars. Sipas agjencisë, vullnetarët do të jetojnë dhe punojnë në ambiente të mbyllura që simulojnë muaj të tërë udhëtimi ndërplanetar.
“Duke përdorur habitatin HERA si një anije hapësinore dhe habitatin CHAPEA si bazë, vullnetarët do të jetojnë dhe punojnë në mjedise të kufizuara dhe të izoluara që simulojnë fluturime shumëmujore drejt dhe nga sipërfaqet e planetëve”, shpjegoi NASA. Programi përfshin gjithashtu simulime të aktiviteteve në sipërfaqen e Marsit, si ecje me kostume hapësinore dhe përdorimin e mjeteve eksploruese për të arritur zona jashtë bazës.
Përzgjedhja nuk është e hapur automatikisht për të gjithë. Kandidatët duhet të kalojnë kontrolle mjekësore dhe të provojnë se mund të përballojnë jetesën për një periudhë të gjatë në ambiente të izoluara. Një nga detajet më të pazakonta të eksperimentit është përdorimi i një tualeti pa sistem shkarkimi, i ngjashëm me atë që u përdor si zgjidhje emergjente gjatë misionit Artemis II, pasi sistemi kryesor pësoi defekt.