Rekordi absolut në Sistemin Diellor i përket një gjiganti që ndodhet në Mars. Bëhet fjalë për malin, një vullkan kolosal që arrin një lartësi prej rreth 22 kilometrash. Shkencëtarët kanë zbuluar se ky vullkan gjigant ka qenë aktiv për rreth 3 miliardë vjet. Edhe pse rrjedhat më të fundit të lavës në sipërfaqen e tij datojnë rreth 2 milionë vjet më parë, disa të dhëna sugjerojnë se në brendësi mund të ketë ende aktivitet gjeologjik.
Sipas matjeve të kryera nga sonda Mars Express e Agjencisë Evropiane të Hapësirës, mali Olimp ngrihet rreth 21.900 metra mbi bazën e tij. Përmasat e tij janë të jashtëzakonshme, pasi baza ka një diametër prej rreth 600 kilometrash, duke mbuluar një sipërfaqe të krahasueshme me të gjithë shtetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara. Megjithëse është vullkani më i madh i njohur, ngjitja në shpatet e tij teorikisht nuk do të ishte shumë e vështirë. Kjo sepse pjerrësia mesatare e malit është vetëm rreth 5 për qind.
Një tjetër veçori e rrallë është se maja e malit ngrihet mbi rreth 95 për qind të atmosferës marsiane. Në qendër të tij ndodhet një kalderë gjigante me afro 25 kilometra diametër dhe deri në 3 kilometra thellësi, e krijuar nga shembjet e përsëritura pas shpërthimeve vullkanike. Një studim i Agjencisë Evropiane të Hapësirës ka zbuluar praninë e ngricës së akullt në majën e malit Olimp. Ky zbulim po shton interesin shkencor për Marsin dhe mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të kushteve atmosferike dhe mundësisë së ekzistencës së jetës në të kaluarën e planetit të kuq.