Tech

Holanda prezanton “Roboat”, anijet autonome pa drejtues!

Amsterdami do të fillojë së shpejti testimin e anijeve elektrike autonome që do të mund të kryejnë disa funksione, duke nisur nga mbledhja e mbeturinave e deri te transportimi i udhëtarëve.

Kanalet afro 100-kilometërshe të kryeqytetit holandez janë përdorur për transport shumë kohë para se veturat dhe kamionët me motorë të djegies së brendshme ndotëse të nisnin bllokimin e rrugëve të saj të ngushta.

Tani, një projekt i njohur me emrin “Roboat” apo “Anijet-robot”, synon zhvillimin e mënyrave të reja të navigimit nëpër shtigjet ujore të botës, pa ndihmën e dorës së njeriut në timon.

Stephan van Dijk, drejtor i Inovacionit në Institutin e Amsterdamit për Zgjidhje të Avancuara Metropolitane, i cili është duke bashkëpunuar me Institutin e Massachusetts-it për Teknologji, ka theksuar se teknologjia është “tepër e rëndësishme në operacionet komplekse të porteve, ku ka shumë varka dhe anije.

Anijet robot kanë helika portokalli dhe katër shtylla që mbushen nga një bateri elektrike. Ato mund të arrijnë shpejtësinë prej 6 kilometrash në orë dhe mund të lundrojnë për 12 deri në 24 orë, varësisht prej llojit të baterisë dhe ngarkesës.

Drejtohen nga distanca prej një kompjuteri, i cili i përpunon të dhënat nga kamerat dhe sensorët që i skanojnë zonat përreth anijes, duke i detektuar objektet e palëvizshme dhe ato lëvizëse.

Anijet janë modeluar në atë mënyrë që t’u përshtaten lehtësisht synimeve të ndryshme, për bartjen e ngarkesave apo punëtorëve.

Zhvilluesit e tyre pretendojnë se ende u duhen rreth deri në katër vjet kohë për ta përsosur teknologjinë e vetëdrejtimit.