Rajoni

I dërguari i BE-së Lajçak, darkon me Kurtin e Vuçiçin!

Duke shfrytëzuar vizitën në Berlin, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, organizoi një darkë joformale me Albin Kurtin dhe Aleksander Vuçiçin. Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë ishin dje në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit Olaf Scholz.

Lajçak bëri një postim në Twitter:

Mirëpresim mundësinë për diskutime rreth dialogut, në një darkë joformale, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, në Berlin. Faleminderit Qeverisë gjermane për pritjen! Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel kryenegociatorësh më 13 maj.

Prej korrikut të vitit të kaluar, Kurti dhe Vuçiç nuk janë takuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Nga kancelari Scholz, dje u pritën në takime të ndara.

Scholz tha se “objektivi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme”, e cila, sipas tij, “do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”. Gjatë një konference në Berlin, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz deklaroi se është e rëndësishme që “në këtë kohë kur Ukraina po përballet me agresionin rus, Prishtina dhe Beogradi të punojnë që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet”.

Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve dhe që u hap atyre perspektivën e Bashkimit Europian e kontribuon për stabilitetin rajonal.

Scholz u shpreh se e ka inkurajuar kryeministrin Kurti për konstruktivitet në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian. Po ashtu, u zotua se do të punojë edhe me partnerët e tjerë të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sa i përket periudhave kohore, ne nuk mund ta themi sepse kjo varet nga të tjerë, por ne jemi të interesuar që kjo të ndodhë shpejt.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nënvizoi se Qeveria që ai drejton është duke u përfshirë në dialog në mënyrë proaktive dhe konstruktive. “Pikëpamja dhe bindja jonë është që njohja reciproke të jetë në qendër e jo në fund”, – tha Kurti duke iu referuar një marrëveshjeje me Serbinë, që do të dilte si rezultat i dialogut të Brukselit.

Kancelari Scholz shtoi se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, ndaj në gjysmën e dytë do të ketë një ftesë për takim në kuadër të Procesit të Berlinit. Sipas Kurtit, ky njoftim është i mirëpritur për Kosovën.