Aktualitet

I vihet flaka makinës së biznesmenit të hidrokarbureve në Lezhë, dyshohet e qëllimshme

Makinës së një biznesmeni të njohur në Lezhës, i është vënë flaka. Mësohet se bëhet fjalë për biznesmenin Ndue Pjetrushi (Noshi), 66-vjeç, i cili ushtron aktivitet në fushën e hidrokarbureve dhe zjarrvënia dyshohet se është e qëllimshme.

Ndue Pjetrushi (Noshi), merret me tregtimin e naftës Kosovë-Shqipëri.

Automjeti tip Benz ndodhej i parkuar në anë të rrugës, para shtëpisë së tij në Lezhë, ku edhe u përfshi nga flakët.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm.Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, teksa ende nuk dihen shkaqet.

‘Rreth orës 04:00, në Ishull Shëngjin, është konstatuar duke u djegur mjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit N. P. 66 vjeç, banues në Lezhë. Mjeti ka qenë i parkuar në anë rruge dhe për pasojë është djegur plotësisht. Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe përcaktimin e shkakut te djegies.’- njofton policia.

Ndue Pjetrushi, biznesmeni i hidrokarbureve në Lezhë, të cilit iu dogj makina gjatë natës, është shprehur se nuk ka konflikte me asnjë person.

Teksa kërkon që të zbardhjet ngjarja, biznesmeni është shprehur se zjarrvënia mund të jetë edhe e qëllimshme, por mund të ketë marrë edhe vetë.

“Rreth orës 4 pa 10 kam dëgjuar se isha në gjumë, një shpërthim të mbytur . Kam dalë në ballkon dhe kam parë makinë duke u djegur. Në moment ka lajmëruar policinë. Erdhi dhe zjarrfikësja, e fikën zjarrin dhe kaq. Nuk kam asnjë konflikt me askënd. Kush më njeh e dinë që nuk jam i problemeve. Kam biznes transport nafte Shqipëri-Kosovë. Unë për vete nuk dyshoj, mund të jetë edhe e qëllimshme, dhe që ka marrë vetë. Unë nuk jam specialist, por e nxjerrë hetimi, ka një javë që nuk më kanë punuar kamerat e sigurisë, pasi e kisha dërguar që ta riparoj DVR.’- tha 66 vjeçari.

Makina e tij tip “Benz” mori flakë dhe u dogj rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, teksa ende nuk dihen shkaqet.