Bota

Intensifikohen luftimet ruse në Ukrainë, shënohen viktima!

Të paktën pesë persona u vranë nga një sulm rus në qytetin e Kostiantinivka në rajonin lindor të Donjeckut. Raketa e lëshuar nga një sistem kundërajror S-300 goditi një qendër strehimi. Tre gra mes viktimave.

Përgjatë natës, Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në qytetin Krivi Rih në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës. Alarmet për sulme ajrore u lëshuan përgjatë gjithë vendit. Në të njëjtën kohë, pati luftime të ashpra mes forcave ruse e ukrainase përreth qytetit lindor të Bakhmutit. Në Telegram, guvernatori Serhiy Lysak raportoi se Krivi Rih u shënjestrua nga pesë dronë të prodhuar në Iran. Më tej, përmendi se një dron iranian Shahed u rrëzua, bashkë me disa raketa ruse.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës bëri të ditur se trupat ruse vazhduan sulmin në Bakhmut e në rajonet fqinje, duke nisur 79 ofensiva 24 orët e fundit.

Shumica e sulmeve të Rusisë kishin shënjestër Bakhmutin, epiqendra e përpjekjeve të Moskës për muaj të tërë. Armiku vazhdoi të kryejë sulme të pasuksesshme në të tjera zona të Donjeckut: Liman, Avdivka, Marinka e Shaktarsk. Luftimet ishin duke u zhvilluar në pjesë të rajoneve Zaporizhja e Kherson.

Një ditë më parë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u kërkoi liderëve europianë të përshpejtojnë dhe rrisin furnizimin me armë, përfshirë raketa me rreze të gjatë e avionë luftarakë. Zelensky shtoi se vonesat në dorëzimin e raketave me rreze të gjatë e të avionëve luftarakë mund të zgjasin luftën.

Koha është thelbësore. Jo vetëm muaj dhe javë, por ditë. Sa më shpejt të veprojmë së bashku, aq më shumë jetë shpëtojmë! Nëse Europa heziton, e keqja mund të ketë kohë të rigrupohet e të përgatitet për vite të tëra lufte.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “Bashkimi Europian do të punojë me të tjera organizata për të gjetur fëmijët ukrainas të deportuar në Rusi” e “do të bëjë presion për kthimin e tyre”.

Eshtë një kujtim i tmerrshëm i kohërave më të errëta të historisë sonë…të dëbosh fëmijët. Ky është një krim lufte. Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarresti për presidentin Vladimir Putin dhe Maria Lvova-Belovën, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.

Zelensky përshëndeti dhe miratimin nga ministrat e Jashtëm e të Mbrojtjes së BE-së të planit për dërgimin në Ukrainë të 1 milion municioneve të artilerisë brenda 12 muajve të ardhshëm.