Bota

Irlanda i shtohet vendeve që pezullojnë përdorimin e vaksinës së “AstraZeneca”-s

Pavarësisht garancive nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Europiane e Medikamanteve për sigurinë e vaksinës anti-COVID të “AstraZeneca”-s, Irlanda nuk është e bindur. Ronan Glynn, numri dy i Departamentit të Shëndetit që këshillon qeverinë irlandeze për sektorin e shëndetësisë paralajmëron se do të marrin masa parandaluese duke pezulluar vaksinimin. Qëndrimi merr shkas nga rastet serioze të mpiksjes së gjakut në Norvegji, të konstatuara te persona që ishin vaksinuar kundër COVID-it me vaksinën e “AstraZeneca”-s të cilën falë instrumentit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetit e ka marrë dhe Shqipëria e me të ka nisur vaksinimin e mësuesve.

Me pezullimin, Irlanda i bashkohet Danimarkës, Norvegjisë e Islandës. Por shqetësime ka dhe në të tjera vende europiane. Ky është një ndryshim qëndrimi pasi kujtojmë se pak kohë më parë, autoritetet irlandeze kërkonin nga gjigandi farmaceutik anglo-suedez të përshpejtonte furnizimin me vaksina. Ndërkaq, mbi 11 milionë doza të vaksinës së “AstraZeneca”-s janë dhënë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, pa llogaritur ato të shpërndara në botë. Më pak se 50 janë rastet e raportuara të trombozës, deri tani pa lidhje të konfirmuar me vaksinën.