Aktualitet

EMA: “Vaksina e “AstraZeneca”-s nuk ka rrezik për trombozë!”

Nuk ka asnjë indikacion që vaksina anti-COVID e zhvilluar nga Oxford-AstraZeneca të shfaq rrezik në rritje të mpiksjes së gjakut. Deklarata u bë nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA). E cituara nga BBC, EMA thekson se përfitimet janë më të larta se rreziqet.

Shpjegimi zyrtar vjen pasi pasi një numër vendesh, përfshirë Danimarkën dhe Norvegjinë, pezulluan procesin e vaksinimit me AstraZeneca, ndërkohë që Franca dhe Gjermania deklaruan se do të vazhdojnë ta përdorin vaksinën britaniko-suedeze.

Përfitimet janë më të larta se rreziqet…

AstraZeneca tha se siguria e ilaçit ishte studiuar gjerësisht në provat klinike dhe rregullatorët kanë standarde të qarta dhe të rrepta të efikasitetit dhe sigurisë për miratimin e çdo ilaçi të ri. Në Britaninë e Madhe, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) tha se nuk kishte prova se vaksina kishte shkaktuar probleme dhe njerëzit ende duhet të shkojnë dhe të vaksinohen kur u kërkohet ta bëjnë këtë. MHRA thekson:

Mpiksjet e gjakut mund të ndodhin natyrshëm dhe nuk janë të rralla. Më shumë se 11 milionë doza të vaksinës COVID-19 të AstraZeneca-s tani janë administruar në të gjithë Britaninë e Madhe.

Vendimi për të pezulluar përkohësisht përdorimin e AstraZeneca ka ardhur si një pengesë për një fushatë tepër të ngadaltë vaksinimi europiane, pjesërisht për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave ashti si dhe në rastin e Italisë që disa ditë më parë paralajmëroi Pfizerin të rrespektonte zotimet për vaksinat duke i dërguar një letër zyrtare paralajmëruese kompanisë farmaceutike për shpërndarjen në kohë të vaksinave anti-COVID.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania deklaruan se do të vazhdojnë të përdorin AstraZeneca-n.