Celebrities Film & Tv

Jeni kurioz të dini sa ka fituar seriali “Squid Game” deri më tani?! Zbulojeni…

Seriali i njohur korean, “Squid Game” është kthyer në serialin më të suksesshëm të momentit në ‘Netflix’, madje së fundmi ka dalë edhe vlera e fitimit, gjeneruar që prej ditës së transmetimit. Deri në momentin që flasim, “Squid Game” ka fituar mbi 900 milionë dollarë. Kjo shifër ka dalë në media nga zyrat e ‘Netflix’, por nuk është konfirmuar nga kompania e njohur. Nga ana tjetër, vlera e shpenzuar për realizimin e serialit mësohet se është vetëm 21.3 milionë dollarë, mesatarisht 2.4 milionë për episod.

Seriali korean nisi transmetimin më 17 shtator dhe që prej atij momenti ka marrë më shumë se 111 milionë shikues individual. Ai u krijua nga regjisori dhe skenaristi Hwang Dong-hyuk, i cili shkroi dhe drejtoi secilën nga nëntë episodet dhe përqendrohet në një garë ku 456 njerëz mblidhen së bashku nga sfera të ndryshme të jetës. Gjëja kryesore që ata kanë të përbashkët është se të gjithë kanë shumë borxhe për të shlyer dhe iu ofruan një shans për të fituar miliarda dollarë duke luajtur një sërë lojërash për fëmijë edhe pse me pasoja vdekjeprurëse.

Fansat kanë kërkuar sezonin e dytë të serialit. Hwang Dong-hyuk fillimisht nuk kishte plane për të bërë një vazhdim të serialit, por kreu i televizionit global të Netflix, Bela Bajaria tha se ishte në varësi të regjisorit dhe se si ai dëshiron të vazhdojë. Ajo gjithashtu tregoi se shkrimtarët e rinj mund të bashkëpunojnë në çdo sezon të mundshëm të ardhshëm.

Ky serial i kthyer në një fenomen është bërë shumë ndikues në jetën e gjithsecilit, sidomos te fëmijët për shkak edhe të imazheve dhe mesazheve të forta që përcjell. Pasi memet kanë “pushtuar” internetin, një grup fëmijësh nga Nigeria vendosën të rikrijojnë disa skena të serialit dhe të sjellin një “Squid Game” ndryshe të improvizuar nga vetë ata. Të veshur me kostume të ngjashme dhe duke portretizuar në mënyrë perfekte personazhet e serialit, grupi i fëmijëve ka realizuar skena identike dhe ajo që ka tërhequr vëmendjen ka qenë portretizimi i kukullës karakteristike nga loja e parë e “Squid Game”.