Bota

Jep dorëheqjen kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern!

Jacinda Ardern dha dorëheqje si kryeministre e Zelandës së Re, duke thënë se ndihet e pafuqishme për të qeverisur. Të dielën, deputetët e Partisë Laburiste do të votojnë për ta zëvendësuar. Njoftimi vjen në kohën kur sondazhet tregojnë se partia e saj përballet me sfidë të vështirë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 tetor. 42-vjeçarja u shpreh se gjatë pushimeve verore pati kohë që të analizonte të ardhmen e saj e pati shpresuar se do të gjente energji për të vazhduar.

Ardern do të qëndrojë në pushtet deri më 7 shkurt. Nëse asnjë prej pasardhësve të saj nuk do të gëzojë mbështetjen e dy të tretave të partisë, pritet votimi nga anëtarësia e Partisë Laburiste. Në vitin 2017 kur u zgjodh kryeministre, Ardern u bë gruaja më e re në botë në krye të një qeverie, vetëm 37-vjeçe. Qeverinë e Zelandës së Re e drejtoi në kohë sfidash si pandemia koronavirus, të shtënat me armë në xhamitë në Christchurch dhe të një shpërthimi vullkanik.

Fatkeqësisht nuk e kam gjetur energjinë e duhur dhe unë do t’i bëja një shërbim të keq Zelandës së Re nëse vazhdoj të qëndroj në këtë post.

Shefja e qeverisë vuri në dukje se pesë vitet e fundit e kanë bërë të ndihet e plotësuar, edhe pse ishte i vështirë drejtimi i shtetit gjatë “krizave”.

Ndonëse në kohën kur u zgjodh, gjerësisht u konsiderua yll politik global, në sondazhet e fundit popullariteti i saj ka qenë në nivelet më të ulëta. Vitin e kaluar, Ardern i tha BBC-së se rënia e popullaritetit ishte çmimi që duhet të paguajë qeveria e saj për mbajtjen e njerëzve të sigurt gjatë pandemisë COVID-19.