Sport

Kampioni Olimpik, Tom Daley bëhet viral teksa filmohet duke thurur me grep gjatë finales në Tokyo!

Së fundmi zhytësi Tom Daley ka argëtuar fansat me një video që është bërë shumë shpejt virale kudo në rrjet gjatë lojërave olimpike që po zhvillohen në Tokyo. Ai u vërejt teksa po thurte me grep në finalen e zhytjes tre metra nga trampolina për gra.

Daley, i cili ka fituar medaljen e artë krah Matty Lee në kategorinë e zhytjes 10 metra për burra, u filmua teksa punonte me grep gjatë ndeshjes dhe ku po përqendrohej maksimalisht. Llogaria zyrtare e Olimpiadës në “Twitter” shkroi:

Oh, kjo? Është thjesht kampioni olimpik Tom Daley duke thurur nga tribuna teksa shihte zhytjen.

https://twitter.com/Olympics/status/1421746461583323138

27-vjeçari e nisi thurjen me grep gjatë bllokimeve të Covid dhe që atëherë, është i fiksuar pas saj. Madje, ai ka edhe një llogari në “Instagram” ku poston punimet e tij. Dikush shkroi lidhur me hobin e tij:

Tom Daley duke thurur nga tribuna është një ‘mood’. Ai nuk po bënte shaka kur tha se është hobi i tij. Të thurësh me grep në mes të turmës është thjesht e mahnitshme.

https://twitter.com/DalBologknees/status/1421719023482544130

Vetë atleti është shprehur se procesi i thurjes me grep, e ka ndihmuar të përballonte stresin kur po përgatitej për Olimpiadë. Zhytësi, i cili është gjithashtu një yll në platformën “YouTube”, është bërë një nga anëtarët më të famshëm të Ekipit Britanik.

Daley u kualifikua për Lojërat Olimpike që u zhvilluan në Pekin në vitin 2008, kur ishte vetëm 14 vjeç, më pas u paraqit në Lojërat Olimpike në Londër në 2012 dhe në Rio de Janeiro në vitin 2016. Ai fitoi medaljen e tij të parë të arit në Tokyo dhe është shprehur se shpreson të frymëzojë të rinjtë që janë pjesë e komunitetit LGBT+. Në një konferencë për shtyp Tom u shpreh:

Jam shumë krenar që jam homoseksual dhe gjithashtu një kampion Olimpik. Shpresoj që cilido tjetër pjesë e këtij komuniteti të shohë se pavarësisht sa i vetmuar ndihesh momentalisht, ti nuk je vetëm dhe se mund të arrish çdo gjë.