Pas vitesh distancë dhe pa asnjë bisedë mes tyre, Alfonso Herrera dhe Anahí u ulën sërish përballë njëri-tjetrit në emisionin “Encuentros sin Fronteras”, duke dhuruar një nga ribashkimet më prekëse për fansat e “Rebelde” dhe RBD.
Gjatë intervistës, Alfonso pranoi se kishte kaluar shumë kohë që nga biseda e tyre e fundit dhe se ndiente se të dy i detyroheshin vetes një takim të sinqertë.
Na mungonte kjo bisedë
-u shpreh aktori, duke pranuar se ribashkimi ishte një mundësi për të kujtuar rrugëtimin e përbashkët dhe gjithçka kishin jetuar ndër vite.
Një nga temat që ngjalli më shumë interes ishte largimi i tij nga RBD dhe mungesa në turneun e ribashkimit në vitin 2023.
Herrera sqaroi edhe një herë se vendimi nuk kishte të bënte me konfliktet me ish-anëtarët e grupit, por me faktin se muzika nuk ishte kurrë pasioni i tij më i madh.
Të kënduarit nuk ishte kurrë pasioni im më i madh. RBD do të jetë gjithmonë pjesë e jetës sime, por zbulova se pasioni im i vërtetë është kinemaja
-ka deklaruar më herët aktori, duke shpjeguar se dëshironte t’i përkushtohej plotësisht karrierës së tij në aktrim.
Ai shtoi se do të jetë gjithmonë mirënjohës për gjithçka që i dha RBD.
Ishte e jashtëzakonshme të isha pjesë e një projekti kaq të rëndësishëm për një brez të tërë. Kam vetëm fjalë mirënjohjeje. Falë atij projekti pata mundësinë të udhëtoja nëpër botë, të njihja kultura dhe njerëz që nuk do t’i kisha takuar ndryshe
-është shprehur Herrera.
Nga ana tjetër, Anahí nuk i fshehu emocionet gjatë intervistës. Teksa shihte pamje nga karriera e saj, këngëtarja shpërtheu në lot, ndërsa ribashkimi me ish-partnerin e saj në ekran u kthye në një moment nostalgjik për miliona fansa.
Fakti që ata kishin vite pa folur e bëri takimin edhe më të veçantë. Për shumë ndjekës, nuk ishte thjesht një intervistë, por një rikthim simbolik i Mía Colucci dhe Miguel Arango, dy personazheve që shënuan një epokë në televizionin latino-amerikan.
Edhe pse Alfonso zgjodhi të mos rikthehej në skenë me RBD, ai la të kuptohet se nuk ka asnjë peng për atë periudhë të jetës së tij.
RBD do të jetë gjithmonë pjesë e historisë sime
-tha ai, duke dëshmuar se, pavarësisht rrugëve të ndryshme që kanë ndjekur, respekti dhe mirënjohja mes tij dhe ish-kolegëve vazhdojnë të mbeten të paprekura.