Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Ekskluzivisht për TAR/Ja amaneti i Jonida Maliqit…

E ftuar ditën e sotme nëpërmjet një lidhje telefonike në emisionin “Live From Tirana” ka qenë këngëtarja e njohur Jonida Maliqi, ku na ka treguar më shumë rreth jetës së saj ndër vite dhe duke i dedikuar secilit moment të rëndësishëm një këngë. Me anë të kësaj ajo ka zgjedhur pesë këngë të cilat kanë patur më shumë impakt gjatë rrugëtimit së saj. Kjo listë këngësh nuk ka qenë aspak e lehtë për tu zgjedhur nga ana e saj pasi sipas artistes këngët lënë një shenjë në momente të ndryshme të jetës. Duke qenë se edhe profesioni i saj i përket botës muzikore për të muzika është si frymë, pa të nuk do të kishte jetë. Këto janë disa nga zgjedhjet e saj dhe arsyet pse i ka zgjedhur.

1. Spice Girls – “Viva Forever”

Kjo këngë i përket pjesës më të bukur të jetës sime. Kjo këngë është publikuar në periudhën kur kam qenë adoleshente dhe atëherë motra ime studionte në Moskë. Ajo rikthehej vetëm në dy muajt e verës dhe sa herë që vinte ne vendosinim këtë këngë. Atë kohë ka qenë koha e kasetave dhe e dëgjonim mbi 50 herë kur bënim edhe punët e shtëpisë. Periudha e verës ka qenë ndër momentet më të bukura të jetës sime dhe do doja shumë të kthehesha në atë kohë kur kemi qenë pa probleme, pa shqetësime. Është këngë e thjeshtë, por teksti ka një domethënie të veçantë dhe plot pozitivitet.

2. Beyoncé – “I was here”

Kjo këngë është si një reflektim për atë çfarë ke bërë, për atë që po bën dhe për atë që do të bësh deri në momentin që do ta lije këtë botë. Sa herë flas me miqtë e mi rreth një teme paksa prekëse siç është vdekja, gjithmonë kam shprehur se do doja që kjo këngë të luhej atë ditë dhe ata të konsumonin shampanjë. Ky projekt më bën të reflektoj kur jam në qetësi ose në paqe me veten. Është shumë e çuditshme pasi më ka bërë të qaj dhe nga ana tjetër më ka bërë që të eci përpara. E kam si një terapi personale.

3. Pharrell Williams – “Happy”

Kjo këngë është një adrenalinë e vërtetë. Më bën të përjetoj ato dozat e vogla të lumturisë që kemi në këtë jetë, ku fatkeqësisht është e mbushur me shumë gjëra negative. E kërcej gjithmonë me djalin tim sipër shtratit dhe më bën të ndihem me të vërtetë e lumtur. Ka vokalet aq të bukura dhe ka atë thjeshtesinë e vet. Ështe një ndër artistët shumë dimensional. Më pëlqejnë njerëzit krijues dhe që japin më të mirën e tyre.

4. Sevdaliza – “Human”

Sevdaliza nuk është një artiste shumë e dëgjuar në tregun tonë, por unë e dëgjoj shumë atë dhe madje e kam studiuar. Ka origjinë iraniane dhe gjermane. Është një artiste fantastike dhe ka realizuar bashkëpunime të mëdha. Ka një vokal aq të thellë dhe forma se si ajo integrohet me botën e politikës dhe në të drejtat e grave është mjaft e shkëlqyer. Harrojmë dhe kafshërohemi nga rrethanat e jetës dhe kjo është nga ato artistet që jep mesazh se duhet të jemi human. Jam e para që e dëgjoj dhe e analizoj. Ju sugjeroj të shikoni edhe klipin. Flet për ankthin dhe depresionin.

5. Evanescence – “Lacrymosa”

Ky grup kaq i famshëm, që vitet e fundit fatkeqësisht është shpërbërë, e ka krijuar këtë projekt duke u bazuar tek klasiku më i famshëm i krijuar nga Mozzart. Është shumë i thellë si projekt. Unë nuk harroj vitet e liceut klasik dhe ka qenë një ndër periudhat më të bukura. Të këndosh në kor është më e vështirë dhe ne e realizonim. Kjo këngë më çon në atë fazë të jetës.